Uendi Muja, vajza “e artë” shkodrane që ëndërron futbollin e madh

0

Kapitenia e Shqipërisë U-19 në futboll për femra, me trofe pa fund në nivel klubi e me rekorde golash, rrëfen lidhjen e saj me sportin dhe dëshirat për të ardhmen…

Futbolli i femrave, ta themi hapur, është ende thuajse një tabu në Shqipëri. Në Europë ka shumë vite që luhet, edhe futboll profesionist, por ne jemi ende herët për gjëra të tilla. Prej rreth një dekade Federata Shqiptare e Futbollit, edhe me kërkesë të UEFA-s, ka organizuar kampionatet e femrave dhe pak nga pak kanë dalë “guximtaret”, ato që nuk duan thjesht të “rebelohen” duke adhuruar Mesin e Ronaldon, por edhe ta shkelmojnë vetë topin, në fushën e blertë. Nuk kërkojmë nivel stratosferik, në sport rëndësi ka të marrësh pjesë, si thotë shprehja e famshme, por kohët e fundit vajzat shqiptare nuk mjaftohen më thjesht me pjesëmarrje. Shqipëria e të rriturave po arrin rezultate mjaft të mira dhe në vitin 2017 ka shkëlqyer, duke kaluar edhe në fazën e dytë të kualifikueseve të Botërorit. Vllaznia ditët e fundit shkëlqeu në Bosnje-Hercegovinë, në kualifikueset e Ligës së Kampioneve, duke fituar dy ndeshje dhe duke u mundur në shtesë nga PAOK-u, ndeshje që edhe mund të fitohet në tavolinë nga vajzat shkodrane. Vllaznia, kush tjetër mund ta niste dhe të sundonte futbollin e femrave, sepse Shkodra nuk mund të mos jetë pararojë në futboll. Një ndër personazhet më interesantë në këtë rritje të futbollit shqiptar në dekadën e fundit është padyshim Uendi Muja, një futbolliste me një histori të çuditshme, sepse është vetëm 18 vjeç, por ka fituar aq shumë, saqë do t’i duhej një dhomë për të futur trofetë, nëse do t’i mbante në shtëpi. “Sport Ekspres” ka biseduar me futbollisten e kombëtares sonë, kapitene e Shqipërisë U-19 dhe një ndër talentet më të mëdhenj të futbollit të femrave. Jo më kot, bukuroshja shkodrane ka edhe një shifër impresionuese për t’u krenuar: 12 gola në një ndeshje kampionati.

– Përshëndetje Uendi, së pari na fol pak për veten, pasi edhe publiku ndoshta nuk ju njeh mirë. Si ka nisur lidhja jote me futbollin? Kush ka ndikuar për afrimin tënd me futbollin e luajtur?

– Lidhja ime me futbollin ka nisur që në fëmijëri, kur isha 6-7 vjeçe, dhe luaja me djemtë e lagjes. Më pas, në moshën 9-vjeçare babai im, duke parë që unë luaja me aq dëshirë, u interesua që të luaja me ndonjë ekip të moshave në Shkodër. Realisht, ekipe moshash nuk kishte dhe u detyrova të luaja me vajza te rritura. Pra, personi i parë që më shtyu drejt pasionit tim ishte babai.

– E nise sa për të kaluar kohen? Kur e mendove realisht se kishe talent dhe mund të bëhej diçka serioze, të bëheshe vërtet futbolliste?

– Si çdo fëmijë që luan me imagjinatën që do bëhem futbolliste e madhe, ashtu dhe unë, e nisa për zbavitje, si një mënyrë për të bërë diçka ndryshe. Më pas, vit pas viti, këto mendime filluan të bëheshin më serioze.                        

– Na the që nise menjëherë të luaje me të rriturat. Ç’mund të na thuash për debutimin tënd?

– E kam nisur te klubi The Door, klub futbolli shkodran. Më pas, shkova tek Ada e Velipojës dhe më vonë më kërkuan te Vllaznia, ku luaj prej vitit 2013.

– E mban mend golin tënd të parë?

– Emocionohem edhe tani kur e mendoj… Isha vetëm 11 vjeç dhe pas shënimit te golit po vrapoja nëpër fushë e shoqet e ekipit që më vinin nga pas për të më përqafuar. Ishte vetëm goli i parë, emocion i madh, sidomos për moshën që isha, por më vonë u mësova me golat.

– Sa trofe ke fituar në karrierë?

Deri tani kam festuar 7 kampionate të fituar dhe 4 kupa. I kam gjithmonë në mendje, sepse krenohem me arritjet e ekipit tim.

–  Shqipëria i kushton shumë pak rëndësi futbollit te femrave, jemi ambient maskilist në këtë drejtim. A je ndier ndonjëherë keq në këtë drejtim? A të kane thënë: Ç’të duhet futbolli ty, femrat nuk merren me futboll?

– Në fakt, po. Ma kanë drejtuar shumë shpesh këtë pyetje, të them te drejtën, sidomos ne fillimet e mia. Ndihesha pak e fyer, se nuk e vlerësonin pasionin tim, por me kalimin e kohës janë po ata njerëz që tani me përshëndesin në rrugë, duke parë dhe arritjet e mia. 

– Të mërzit fakti që shqiptarët ndjekin vetëm futbollin e meshkujve? Ka shumë pak informacion edhe nga gazetat e televizionet për futbollin e femrave, të paktën deri para pak vitesh, sepse tani po kthehen sytë edhe nga futbolli juaj, sidomos nga ekipet kombëtare.

– Nuk do e cilësoja mërzi, por natyrisht interesimi dhe shikueshmëria na bën më të vlerësuar dhe na motivon ndoshta më tepër. Ashtu si për futbollin e meshkujve, një stadium bosh apo një interesim shumë i ulët nga media dhe tifozët na pesimizon pak dhe na e ul impenjimin në ndeshje të caktuara, kjo nuk mund të mohohet.

– A ke menduar ndonjëherë se nuk ia vlen të vazhdosh me futbollin, për ndonjë arsye të veçantë, që mund të të ketë dëshpëruar?

– Ndoshta, ka pasur raste, por e kam vlerësuar gjithmonë si një mendim të momentit dhe jo dëshirë reale e imja. Jam tepër e lidhur me futbollin, për të menduar shkëputjen, për sa kohë ia dal të luaj mirë. 

– Cili trajner ka punuar me shume e te ka ndihmuar? Sa e lehtë që një grup vajzash të punojnë dhe drejtohen nga një trajner mashkull, duke parë që nuk kemi ende trajnere femra?

– Realisht, nuk do mundja të veçoja asnjërin, sepse të gjithë trajnerët që kane punuar me mua dhe shoqet e mia kanë qenë çdo dite të përkushtuar në punën e tyre. Di të them se çdo trajner që kemi pasur dhe kemi ka licenca, të cilat i kualifikojnë ata si trajnerë, pra kanë gjithë kualifikimet e nevojshme për të punuar me futbollistet femra.

– Je vetëm 18 vjeçe, por me CV të jashtëzakonshme. A i ke numëruar golat që ke shënuar?

–  Të them të drejtën, mbaj mend vetëm golat e sezonit te fundit, ku kam shënuar 58 gola vetëm në kampionat, në 18 ndeshje. 

– Në 18 ndeshje???

– Po, në vetëm 18 ndeshje. 12 gola i kam realizuar në një fitore 20-0 në 17 dhjetor 2016, pikërisht kundër ekipit tim të parë, The Doors.

– Shifër habitëse! Realisht, a nuk mendon se i përket një kampionati më cilësor? E ke menduar ndonjëherë largimin nga Shqipëria?

– E kam menduar shumë herë dhe tani ka ardhur koha ta mendoj më seriozisht, pra edhe të veproj.

– Ke marrë ndonjë sinjal, interesim nga jashtë? A ke ndonjë lidhje me ndonjë menaxher a person te njohur?

– Kam marrë, sidomos kohët e fundit interesimi është i madh. Në fakt, menaxheri im i vetëm deri tani ka qenë babai, por pak më lart thashë që duhet të veproj seriozisht dhe tani më duhet të kem edhe një menaxher.

– Deri tani ka qenë thuajse hobi, sepse realisht nuk besoj se ka ndonjë të ardhur te madhe financiare te jesh futbolliste në Shqipëri, apo jo?

– Me sa di unë, jemi i vetmi ekip që paguhemi në Shqipëri dhe në qoftë se paga qe ne marrim këtu është më e madhja, atëherë u siguroj qe nuk ka asnjë të ardhme në Shqipëri, mbetet vetëm pasion. Megjithatë, tani unë e shoh edhe si profesion, ndaj ëndërroj të luaj në një kampionat ku të vlerësohem si e tillë.

– Sa herë në javë stërviteni?

– Kemi pushim vetëm një dite në javë, ku zakonisht është dita pas ndeshjes. Në aspektin e stërvitjes nuk mund të ankohemi, realisht.

– A të pengon futbolli për shkollën apo jetën në përgjithësi? A ndihesh ndonjëherë e lodhur: stërvitje, ndeshje, grumbullim me Vllazninë, me kombëtaren U19, me kombëtaren e madhe?

– Më pengon pak dhe ndonjëherë i kam zili shoqet e mia, kur bëjnë pushime me familjen apo shoqërinë. Megjithatë, e them me bindje që nuk do doja kurrë të ndërroja vendet, preferoj kështu si jam. Nuk ndihem kurrë e lodhur kur bëj diçka nga pasioni.

– Te flasim pak për ndeshjet që luajtët në Bosnje me Vllazninë. Shkëlqyet, humbet vetëm një ndeshje në shtese. Si ka mundësi ky kapërcim cilësor? Më përpara kishit shume humbje rresht në Europë, tani ëndërroni kualifikimin, pasi prisni apelin kundër PAOK-ut.

– Kualiteti i vajzave është gjithmonë në rritje. Duke parë aftësitë dhe formën e grupit, ishte e drejtë që jo vetëm të ëndërronim, por edhe të pretendonim kualifikimin. Fituam dy ndeshje në grup, u mundëm në shtesë me 11-metërsh nga PAOK-u, por tani presim përgjigje nga UEFA, pasi ata kishin një lojtare të pafederuar.

– Përtej cilësive dhe stërvitjes, a ka ndryshuar edhe mentaliteti? Edhe me kombëtaret, duket sikur po luani goxha me lirshëm, pa frikë tani…       

– Mentaliteti është zbutur pak, por për disa të tjerë mbetet i njëjti e me vjen shumë keq për këtë. Për sa i përket kombëtares, nuk mund te rri pa përmendur e pa falënderuar trajnerët e dy kombëtareve. Nevil Dede tek U-19 dhe Armir Grima te të rriturat po mundohen t’i frymëzojnë e t’i bindin vajzat të kenë më shumë besim te vetja.

– Besoj se e ndjek futbollin e meshkujve. A ke një skuadër dhe lojtar të preferuar?

– Skuadra e preferuar mbetet Reali i Madridit. Duke qenë me Realin, lojtari i preferuar normalisht është Kristiano Ronaldo.

– Kristiano, si futbollist, apo edhe si paraqitje?

– Është lojtari i preferuar për futbollin që luan, por nuk mund të mos e komplimentoj edhe për paraqitjen fizike.

– Meqë jemi te paraqitja: a je ndier ndonjëherë e bezdisur në ndeshje? Ka meshkuj qe ndoshta e teprojnë me batuta, duke parë vajza të luajnë futboll?

– Edhe ndodh, por mundohem t’i anashkaloj, puna ime është të bëj detyrën në fushë, jo të merrem me publikun.

– Shoqja më e ngushtë, te Vllaznia apo te kombëtaret?

–  Kam shumë shoqe, në futboll e jashtë tij, që i vlerësoj, i dua dhe më duan gjithashtu, ndaj nuk do mund të përmendja emra.

– A i veçon dot 2 momente: Më i keqi në karrierë dhe ai që të ka lumturuar më shumë?

– Nuk kam pasur ende ndonjë moment që mund ta quaj të keq në karrierën time, por të tillë do e quaja vetëm kur unë nuk mundem të kontribuoj në fushe për ekipin tim. Momentet e lumtura janë momentet kur i jep fitoren ekipit tënd e me pas merr komplimente që të motivojnë për më tepër. Kam pasur shumë të tillë dhe jam ndier shume e lumtur, edhe kur kam ngritur trofe.

-Pyetje ndoshta pa vlerë, por që mund të ngrihet në të ardhmen: Nëse partneri yt do të të kërkonte të lije futbollin, si do i përgjigjeshe?

– (Qesh) Përgjigjja e vetme do ishte: Më mirë më kërko të të lë ty.

Intervistoi: Blerim Jahaj

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image