Uellsi, golfi pastaj…Real Madridi! Gareth Bale nuk ndalet, i çmend të gjithë në Spanjë

Pas rikthimit të tij nga dëmtimi në ndeshjet me Kombëtaren, në Madrid lindën shumë dyshime në dëshirën që uellsiani ka për të luajtur me skuadrën e Realit. Madje do të ishte vetë Gareth Bale që do e konfirmonte në një farë mënyre një gjë të tillë, duke u shprehur se ndjen më tepër emocione kur luan me Kombëtaren e tij se sa me galaktikët spanjollë.

Por sulmuesi uellsian nuk u ndal me kaq, teksa në përfundim të ndeshjes së fituar në shifrat 2-0 ndaj Hungarisë, që i siguroi Uellsit një vend në Euro 2020, do të mbante në duar së bashku me shokët e skuadrës një flamur që në Madrid nuk ka për t’u pritur aspak mirë. “Uells. Golf. Madrid. Në këtë renditje”, do të ishte ajo çfarë shkruhej në të. Kjo gjë tregon hapur edhe interesat që Bale ka, ku përpos  Uellsit, vendos më lart Madridit edhe golfin. Një gjë e tillë tregon qartë se hendeku mes futbollistit dhe Realit të Madridit vetëm po thellohet dhe ndarja përfundimtare duket zgjidhja e vetme./Sport Ekspres/