Uellison pas largimit nga Tirana: Zoti do të ma bëjë më mirë

Lojtari brazilian, me një postim në “Instagram” ka falënderuar të gjithë “popullin bardheblu” si dhe klubin Tirana

Olsi Avdiaj

Klubi Tirana ka zyrtarizuar dje largimin e brazilianit Uellison Olivera. Futbollisti i huaj është i pari mes disa të tjerëve që do të ikë nga ekipi bardheblu. Ishte vetë klubi Tirana, që përmes një postimi ka bërë me dije një fakt të tillë, lajm i cili nuk ishte ndonjë gjë e re, veçse është zyrtarizuar nga skuadra e bardheblu. “KF Tirana ka ndërprerë bashkëpunimin me futbollistin Uellison Olivera. Klubi e ka parë të arsyeshme të përfundojë marrëveshjen me konsensus dhe të largoj nga skuadra mbrojtësin brazilian. KF Tirana falënderon futbollistin për kontributin e dhënë”, shkruhet në njoftimin e klubi bardheblu.

Reagimi – Vetë lojtari brazilian, i cili ka luajtur të gjitha ndeshjet në Kategorinë e Parë me Tiranën si dhe Kupën e Shqipërisë me një postim në “Instagram” ka falënderuar të gjithë “popullin bardheblu”. “Me anë të kësaj komunikate dua të falënderoj të gjithë drejtuesit e klubit, lojtarët që më pritën këto muaj me shumë ngrohtësi dhe që më dhanë mundësinë të bëjë gjithçka mirë në fushën e lojës. Dua të falënderoj edhe tifozët e Tiranës, që më kanë përkrahur për atë që kam dhënë në fushën e lojës. Me vete kam marrë miqësinë e të gjithë atyre që njoha në Shqipëri, një vend që do të jetë gjithmonë në zemrën time. Uroj nga zemra të gjithë lojtarët dhe klubin, për suksese të mëtejshme”, shkruante Uellison në rrjetin social. Lojtari në vazhdim të urimeve ka sqaruar se u largua nga Tirana, pasi i erdhi një ofertë e mirë. Lojtari pranoi se është larguar për një ofertë më të mirë parash. “Shpresoj dhe besoj se Zoti do të ma bëjë më mirë”, mbyll braziliani.

Për momentin Tirana ka larguar vetëm një lojtar, qendërmbrojtësin brazilian Uellison, me 32-vjeçarin që i luajti të gjitha ndeshjet, por nuk i ka bindur drejtuesit dhe trajnerin Ze Maria, të cilët e kanë lënë të lirë. Tani braziliani shkon në Suedi, ku ka firmosur për ekipin Eskilstuna, që sapo ka zbritur në Kategorinë e Dytë suedeze.

Uellison Oliveira kishte një kontratë 1,5-vjeçare, por që nuk i përmbushi pritshmëritë, edhe pse trajneri Ze Maria e hodhi në fushë në çdo ndeshje. Zyrtarisht nga bardheblutë thuhet se ka një prishje me mirëkuptim të kontratës mes palëve. E vërteta është ndryshe. Duke qenë se në Shqipëri lejohen të aktivizohen vetëm 4 futbollistë të huaj në formacion, bardheblutë i kanë bërë dalje brazilianit. Musa Muhamed jep më shumë garanci në qendër të mbrojtjes dhe kjo është arsyeja e vendimit, për të ndërprerë kontratën me Uellison. Tashmë braziliani ka gjetur sistemim në kategorinë e dytë suedeze, ndërsa Tirana i ka marrë masat me kohë për ta zëvendësuar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *