UEFA procedim për shqiponjën, Leci: Dua shqiptarët e Zvicrës në finale

Dy gola në fitoren 4-1 të Dritës ndaj Linkoln nga Gjibraltari. Kualifikim historik për kampionët e Kosovës në turin e parë kualifikues të Champions, por edhe festë me shqiponjë për mbrojtësin 33-vjeçar. Pas asaj që ndodhi në Botërorin 2018 me Granit Xhakën dhe Xherdan Shaqirin, edhe Leci u vendos në shënjestrën e UEFA-s.

“Normalisht e bëra shqiponjën pas golave dhe ndihem krenar. Edhe nëse shënoj me Malmon do e bëj përsëri. Pas ndeshjes delegati më mori në pyetje përse e bëra simbolin e shqiponjës. I thashë se e kam bërë me dëshirë, pasi ky është simboli ynë, për të cilin kanë humbur jetën shumë njerëz dhe nëse do të më jepej mundësia do ta bëja prapë. Këtë delegati e ka shkruar në raport dhe që do e çojë në UEFA sepse kjo është një procedurë”, deklaroi Leci.

Mbrojtësi beson se Drita mund të bëjë surprizën përballë suedezëve të Malmos, edhe pse bëhet fjalë për një skuadër me buxhet mbi 50 milionë euro. “Drita ka 31 ndeshje pa humbje mes kampionatit dhe Europës. Në futboll gjithçka është e mundur. Ndonjëherë dëshira e mposht cilësinë. Malmo nuk është në pozita të mira, pasi renditet në vendin e 11-të në kampionat dhe mund të them se ne jemi favoritë”, ishin fjalët e lojtarit.

Në fund Liridon Leci tregoi edhe se në Botërorin 2018 në Rusi bën tifo për shqiptarët e Zvicrës: “Meqë Kampionati Botëror nisi me shqiptarë, me Era Istrefin që këndoi në ceremoninë e hapjes, shpresoj që turneun në Rusi ta mbyllim me shqiptarët e Zvicrës në finale”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *