UEFA, presidenti Çeferin: “VAR në Champions? Jo tani. Bufon gaboi. Italia, skandaloze me infrastrukturën”

0

Nuk janë harruar ende polemikat në lidhje me penalltinë e famshme të Realit kundër Juventusit. Pas ndeshjes presidenti i Juventusit Andrea Anjeli kërkoi futjen e teknologjisë VAR në Champions League, argument të cilin e ka prekur edhe presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, në një intervistë për Gazzetta dello Sport: “VAR është si një  Ferrari ose një Porsche: nuk e nget dot menjëherë, duhet stërvitje, prova dhe të gjithë duhet ta kuptojnë si funksionon. Është ende herë për VAR-in. Nuk po them ‘kurrë’, sepse procesi është pa kthim pas, do futet një ditë edhe në Champions, por nuk ka pse të nxitohemi. Kam pak frikë për Botërorin, sepse do të drejtojnë arbitra që nuk e kanë përdorur kurrë VAR-in. Shpresoj të mos ndodhin skandale apo probleme. Megjithatë, është një turne unik, është më e lehtë. Champions League është ndryshe, edhe Premier Liga angleze e ka shtyrë përfshirjen e VAR-it”.

Çeferin flet për penalltinë që iu dha Realit: “Nuk do ndryshonte asgjë edhe me VAR. Ka persona që e kanë parë 20 herë atë aksion, unë 50 herë, por sërish jemi të ndarë 50-50 nëse ishte penallti apo jo. Kur do futet VAR në Champions? Në sezonin 2019-2020 do futet në Champions dhe në Europian, besoj. Problemi i VAR-it është se nuk është shumë i qartë për tifozët dhe arbitrat, kam parë situata komike në Gjermani, në Angli, por edhe në Itali. Nuk duhet të nxitohemi, sepse sporti ka nevojë për rregulla të qarta”.

Çeferin për Bufonin: “Ajo që tha për arbitrin nuk ishte e drejtë, nuk duhej ta bënte. Megjithatë, nga pikëpamja e atij që luan, e kuptoj dëshpërimin dhe zhgënjimin për një humbje me penallti në minutën e 93-të. Duket sikur të ka ikur një rast i madh, ndaj e kuptoj pak a shumë Bufonin. Kolina nën akuzë? Anjeli nuk ishte agresiv dhe nuk ofendoi askënd, bisedova me të pas ndeshjes. Edhe Anjeli ishte i dëshpëruar si Bufoni, nuk mund t’i fshihte emocionet. Megjithatë, Kolina nuk ka faj, është si trajneri që zgjedh skuadrën: zgjedh më të mirët për të fituar, por është e qartë që mund të ndodhin gjëra të tilla plot polemika, por nuk është faji i përzgjedhësit. Kolina më pëlqen, i ka dhënë shumë UEFA-s, nuk ndërhyj kurrë në punën e tij, vendos ai me profesionalizëm”.

Presidenti i UEFA-s i jep një mesazh të qartë Italisë: “Jam takuar me drejtuesit më të lartë të sportit italian, kemi folur për Serinë A, për zgjedhjet në federatën italiane dhe mbi të gjitha për problemet e tmerrshme që keni me infrastrukturat. Është fakt që Italia nuk mund të organizojë një finale të Champions League dhe as të mendojë për të organizuar ndonjë kompeticion madhor. Kjo bën që sistemi të mos përmirësohet dhe rritet. Nuk e kuptoj realisht se si Italia, një ndër 4 vendet më të mëdha në botën e futbollit, ka infrastruktura shumë më të këqija edhe se Polonia, për shembull. Politikanët duhet të ndërhyjnë”.

Tema e Fair-Play financiar: “Duhen masa të reja dhe po i përfshijmë të gjithë, edhe lojtarët. Së pari, do të kufizohen skuadrat, edhe në kampionate, jo vetëm për Champions. Më pas, do të kufizohen ose ndalohen huazimet: por nuk mund të bëhet në Itali, sepse nuk ekzistojnë ekipet B. Është e ndërlikuar të vendoset avan pagash, por mund të aplikohet taksa e luksit, pra ata që fitojnë mbi një nivel të caktuar pagash, të paguajnë më shumë taksa. A jam i shqetësuar për PSG-në dhe Milanin? Ne nuk duam të ‘vrasim’ askënd, nuk i themi askujt “o kështu, ose je jashtë”. Do të bëjmë gjithçka për t’i ndihmuar, nuk jemi policia, por ka edhe rregulla që duhen respektuar. Është një gjykim i pavarur”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.