UEFA paralajmëron: Do ketë sanksione për blerjet!

Presidenti Ceferin: Duhet modifikuar rregulli i Fair Play-t Financiar dhe do vendosen limite edhe për huazimet, po dobësohet konkurrenca

Aleksander Ceferin nuk ka dyshime për urgjencën përmes së cilës duhet të rregullojë merkaton, edhe duke sanksionuar klubet e mëdha, nëse do të jetë e nevojshme. “Futbolli është një produkt fantastik. Dhe shumat e transferimeve që janë bërë deri tani nuk vijnë nga hiçi, por ne duhet të mbrojmë konkurencën, sepse jemi garantët e futbollit të ndershëm dhe të drejtë. Nuk duam që distancat  ndërmjet klubeve të mëdha dhe atyre të vogla të bëhen kaq të mëdha saqë vetëm pak klube të luajnë seriozisht”. Kanë qenë këto fjalët e thëna nga presidenti i Konfederatës Evropiane të Futbollit, në një intervistë që ka dhënë për kanalin televiziv gjerman “ARD”, duke folur mbi bazën e Fair Play-t Financiar. “FPF-ja është krijuar për t’i dhënë stabilitet dhe qëndrushmëri sistemit të futbollit dhe garës, por kohët po ndryshojnë dhe ne duhet ta adaptojmë atë, ta modernizojmë”.

MODIFIKIMET – Sipas Ceferinit, “dritarja për transferimet është e hapur për shumë kohë dhe s’është normale ta nisësh sezonin me një klub e më pas të kalosh te një tjetër menjëherë. Nuk është e mirë në sensin sportiv”, ka shtuar numri 1 i UEFA-s, duke komentuar edhe vendimin e marrë dje nga ana e Premier League-s në këtë aspekt të merkatos. Në fund, Ceferin ka dhënë një shembull për modifikimin e rregullores. “Është një moment kyç, shumë ide si përshembull, kufizimi i blerjeve dhe huazimeve. Disa klube blejnë shumë, shpesh të rinj dhe i dërgojnë në huazim, më pas blejnë një 30-vjeçar vetëm për të dobësuar klubet e tjera. Kjo duhet të ndryshojë”, ka thënë Ceferin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *