UEFA merr vendime të reja/ Nuk do të ketë ndeshje për Kombëtaret në qershor, klubet fitojnë kohë për licensime

UEFA ka zhvilluar ditën e sotme një tjetër video-konferencë, ku ka marrë vendime sa i përket futbollit për muajt e ardhshëm. Pjesëmarrës në këtë mbledhje kanë qenë të 55 federatat anëtare dhe në fund është vendosur që të mos luhet asnjë ndeshje Kombëtare e planifikuar për muajin qershor. Kështu, përveç Kampionatit Europian që u shty për vitin 2021, të tjera takime që pezullohen deri në një datë të dytë janë edhe gjysmë-finalet e Ligës së Kombeve apo edhe ndeshjet miqësore të përfaqësueseve europiane, ndërsa të njëjtin fat kanë pasur edhe turnetë e moshave.

Një vendim ky që ndoshta do u japë kohë federative që të mbyllin kampionatet gjatë muajit qershor. Ndërkohë qeveria europiane e futbollit ka vendosur që duke u nisur nga kushtet jo normale në të cilat ndodhen, të bëjë ndërhyrje sa i përket fair-play financiar dhe procesit të licensimeve. Këshut klubet kanë më tepër kohë në dispozicion për t’u licensuar, ndërsa hiqet fair-play financiar për sezonin që do të vijë, atë 2020/21./Sport Ekspres/