Udhëtimi magjik i Hysajt, që tashmë e kërkon Çelsi!

0

Dy vjet më parë luante në Serinë B, ndërsa tani është padiskutim jo një zbulim, por bindje: një sezon spektakolar në Serinë A, paraqitje super me Kombëtaren. Italia, Gjermania dhe… Anglia në garë për të. Empoli nuk bën skonto: do 4 mln euro dhe përqindje rishitje

 

Anton Cicani

Nëse një ditë do t’iu thonin se jeni pranë realizimit të ëndrrës tuaj në moshën 21-vjeç, si do të ndiheshit? Ndoshta është një ndjesi të cilën vetëm Elseid Hysaj, mbrojtësi i Empolit dhe i Kombëtares së Shqipërisë, mund të na e përshkruajë…

E të mendosh që shumë vite më parë, kur Elsi ishte vetëm një fëmijë dhe jetonte në Shkodër me gjyshërit dhe të ëmën, i ati Gëzim, punonte si çdo emigrant tjetër për të siguruar paratë për të jetuar por duke menduar se si mund të ishte dhe duhet të ishte e ardhmja e të birit… Pasioni për futbollin por edhe një miqësi e rastësishme me një agjent të njohur, bënë që për Elseidin të hapeshin dyert e fatit shumë shpejt, kur ishte vetëm 14-vjeç dhe kur u mor në provë nga Empoli, që prej asaj dite nuk e lëshoi më, duke e rritur profesionalisht dhe sidomos si njeri.

Sot, Elsi është më i pjekur dhe një meritë të madhe e ka familja por sidomos Empoli, klubit të cilit shkodrani do t’i jetë mirënjohës gjatë gjithë jetës. Në merkato çmenden për të. Emri i tij ka “fluturuar” deri në Angli, aty ku Çelsi i Hoze Murinjos (nuk po flasim për një ekip dosido) ka kthyer sytë nga mbrojtësi 21-vjeçar, që gjithashtu ka merkato në Gjermani (Shalke, Volsfburg dhe Hanover pretendentët), por edhe brenda Serisë A, kampionati perfekt për të.

Në vitin e parë, të gjitha ndeshjet e luajtura dhe një rendiment gjithmonë mbi mesatare (nota 6 është ajo që e karakterizon). Napoli, Lacio, Roma, Bolonja dhe Fiorentina të interesuara për të, me Torinon që i shtohet pretendentëve, por që sa i përket aspektit ekonomik, është më mbrapa, pasi për Empolin djaloshi ka një vlerë mbi 4 mln euro dhe nuk diskutohet.

Madje, në janar thuhet se ishte Hanoveri ai që tentoi, duke ofruar 4 mln euro, por toskanët nuk pranuan, duke ditur se djaloshi do të rritej më shumë. “Ka ardhur moment që ai të largohet, sepse kërkon me të drejtë të luajë në skena më të mëdha, duke qenë se është rritur dhe tashmë Empoli “i rri ngushtë”, tha drejtori sportiv ditë më parë. Elsi është gati për një përvojë të re, por ku? Shumë pista, shumë zëra, ende asnjë ofertë bindëse, e vetmja e shkruar e Bolonjës që arriti 2,5 mln euro.

Etiketa – Në Serinë A, aktualisht, ka një krizë në merkaton e ekipeve të mesme dhe përjashto “big” si Milani, Interi, Juventusi, Napoli dhe Roma, të tjerët janë disi të “pafuqishëm” dhe kursehen. Pasi, ndoshta, vlen për t’u theksuar, një shqiptar për ata s’mund të kushtojë më shumë se 2 mln euro. Është kjo etika që kuqezinjtë kanë nëpër botë, ende në pritje për t’u vlerësuar për atë që janë.

Jashtë – Në Gjermani, s’e kanë problem moshën dhe pasaportën. Nëse je i talentuar, i mirë, mund të kushtosh shumë para, edhe nëse origjinën e ke nga Papa Guinea apo Ishujt Fizhi… Pikërisht për këtë arsye, Hysaj është tepër i kërkuar. Scout të Shalkes dhe Leverkusenit kanë qenë edhe në sfidën e fundit me Francën, në “Elbasan Arena” dhe ajo që thuajse të gjithëve i ka rënë në sy është fakti se Hysaj luan si një veteran në krahun e djathtë të mbrojtjes.

Besimi – “Hysaj është një djalosh i jashtëzakonshëm. Grintë, dëshirë, shumë vrap dhe një personalitet që shumë rrallë shihet në një lojtar të moshës së tij”. Ndoshta, për shumë, ky përcaktim i Xhani de Biazit mund të duket një reklamë, por nuk është kështu. Italiani e njeh mjaft mirë Hysajn. U deshën disa ndeshje në Serinë B, por edhe konsultimet e Tramexanit me Akademinë e Empolit për të kuptuar se për çfarë bëhej fjalë. Hysaj debutoi me Shqipërinë kur ishte vetëm 19-vjeç dhe prej asaj dite, ai është kthyer në një bindje dhe jo më bast…

 

4

Mln

Euro sipas medieve angleze kërkon skuadra e Empolit në total, bashkë me bonuset. Një shifër të cilën Shalke dhe Leverkusen mund ta japin, ashtu si edhe Çelsi, por kurrsesi ekipet italiane

 

36

Ndeshje

Luajti Hysaj sezonin e shkuar në Serinë A, në vitin e tij të parë, duke koleksionuar vetëm 4 kartona të verdhë

 

109

Ndeshje

Ka zhvilluar në total me skuadrën e Empolit mbrojtësi shqiptar, i cili është gjithmonë titullar

 

Vendos lojtari,

nis grumbullimi

Elseid Hysaj sot do të bashkohet me skuadrën për fazën përgatitore, pasi Empoli grumbullohet nën urdhrat e Marko Xhampaolos. Pritet tëkryhen edhe testet mjekësore në datat 8-9-10 korrik. Më pas, shkodrani do të ulet të bisedojë me drejtuesit dhe do të gjejë një gjuhë të përbashkët në mënyrë që edhe Empoli të fitojë diçka pasi është plusvlerë, duke qenë Hysaj me parametra zero, por edhe sepse do të fuste një klauzolë për përqindje në rast rishitje mbi vlerën që është blerë.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.