Udhëtimi i “pafund”, sfiliten te Skënderbeu

Korçarët mbrëmë në mesnatës kanë zbarkuar në Shqipëri, ndërkohë që sot fillojnë përgatitjet për takimin e kthimit. Deri të enjten duhen rikuperuar energjitë

Leonard Trebicka

Udhëtimin drejt Kazakistanit Skënderbeu nuk e pati shumë të vështirë, pasi kishte bërë zgjedhjen më të mirë të mundshme, duke u akomoduar në Stamboll për një javë dhe Kazakistani ishte shumë më afër. Problem më ishte kthimi, teksa dje në mesditë nga Kazakistani nisi edhe udhëtimi për në Shqipëri. Pas gjashtë orësh skuadra korçare mbërriti në Stamboll dhe më pas priti disa orë të tjera për të pritur linjën e avionit Stamboll-Rinas. Në mbrëmje u bë nisja nga Turqia dhe skuadra korçare mbërriti në Rinas pranë mesnatës, në një udhëtim vërtet të gjatë dhe sfilitës. Pas mbërritjes në kryeqytet, Daja ka lajmëruar të tijtë që nata ishte e lirë për të gjithë dhe “jabanxhinjtë” qëndruan pranë familjeve të tyre natën e djeshme. Sa i përket të huajve dhe korçarëve, ata morën rrugën e kthimit për në Korçë dhe në orët e para të mëngjesit kanë mbërritur në qytetin juglindor. Ky ka qenë itinerari i kthimit të Skënderbeut, që në Shqipëri ka ardhur me kokën lart dhe plot optimizëm pas atij barazimi 1-1 që korçarët arritën në Kazakistan. Sigurisht që kthimi ishte i lodhshëm, por Skënderbeu e kaloi këtë vështirësi kaq të madhe, ndërkohë që radha tashmë është për Kairatin të kalojë të njëjtën situatë, pasi do të kthejë të enjten e ardhshme në Korçë. Normalishy që lodhja do të ndihet edhe te kundërshtari i Skënderbeut.

STËRVITJA – Gjatë kthimit për në Shqipëri, gazeta është përpjekur të komunikojë me drejtuesit e skuadrës dhe njëri prej tyre ka qenë Ilir Daja. Në momentin e ndërrimit të avionëve Stamboll-Tiranë, pak përpara nisjes, ka qenë vetë trajneri i korçarëve që për gazetën ka zbuluar edhe startin e përgatitoreve për ndeshjen e kthimit. “Jemi në Stamboll dhe vërtet jemi të lodhur. Lojtarët padiskutim që janë ata që e ndjejnë më shumë këtë lodhje dhe sot në orën 19:15 kam lënë seancën e parë stërvitore në stadiumin ‘Skënderbeu’. Kanë nevojë të çlodhen dhe të flenë më shumë në mënyrë që të rikuperohen, prandaj e kam lënë vonë stërvitjen. Një udhëtim për t’u harruar…”, ka thënë Daja nga Stambolli, duke lënë të kuptohet se u ka ardhur në majë të hundës ky udhëtim kaq i gjatë dhe kaq sfilitës. Skënderbeu do të zbarkojë sot i gjithi në Korçë, teksa edhe pjesa e “jabanxhinjve” do të nisen rreth pasdites për të qenë rreth orës 19:00 në ambientet e stadiumit “Skënderbeu” dhe për të filluar përgatitjet anti-Kairat. Stërvitja e sotme pritet të jetë vetëm e lehtë, për shkak të lodhjes së madhe nga udhëtimi, ndërkohë që ngarkesat stërvitore do të fillojnë nga dita e nesërme. Deri të enjten Skënderbeu do të qëndrojë në juglindje të vendit, ndërkohë që më 20 korrik pritet që ndeshja të startojë në orën 20:00 të mbrëmjes tashmë e përcaktuar nga UEFA.

OPTIMIZMI– Gjatë ditës së djeshme, jo vetëm në Korçë, por edhe në radhët e futbollistët mësohet se ka optimizëm, për vetë faktin se besohet maksimalisht që skuadra ka shanse të mëdha për ta kaluar Kairatin. Skënderbeu luan për disa rezultate, teksa i mjafton edhe një barazim 0-0. Pavarësisht këtij optimizmi, Skënderbeu duhet të ketë shumë kujdes, pasi nëse e nënvleftëson Kairatin padiskutim që do të kthehet në një ndeshje të vështirë. Daja dhe stafi teknik nga dita e sotme do të mundohen të mbajnë me “këmbë në tokë” futbollistët, pasi asgjë nuk ka përfunduar.

Rekord, Skënderbeu bën gjysmën e botës për një ditë

Plot 4620 kilometra ka udhëtuar ditën e djeshme Skënderbeu, nga Almati deri në Tiranë. Distancë e jashtëzakonshme, sepse Almati është praktikisht në Kinë, aq sa edhe në ndeshjen e kampionatit kazak ka raste fluturon mijëra kilometra. Korçarët do të bëjnë pushim total sot, ndërsa më pas do të mendojnë për sfidën e të enjtes, ku do të jenë të plotë. Ndërkaq, rrugën që bëri dje Skënderbeu, do ta bëjë Kairat Almati pas pak ditësh, kur të vijë drejt Shqipërisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *