Udhëkryq në Kukës, kërkohet anti-Skënderbeu

0

Vlonjatët synojnë që të thyejnë mallkimin e “Zeqir Ymerit”, ku nuk kanë marrë asnjëherë rezultat pozitiv. Kukësi do konfirmimin si skuadër me potencial për të synuar ruajtjen e titullit

Jurgen Zela

Kukësi pret sot Flamurtarin, në një takim tejet interesant,ku përballen vendi i dytë dhe vendi i tretë me vetëm 3 pikë diferencë. Kampionët në fuqi do të matin forcat me skuadrën më në formë të momentit, pasi vlonjatët këtë edicion kanë treguar se kanë synime të mëdha, pavarësisht se mendohen dy herë për të përmendur fjalën titull. Mund të konsiderohet dhe si një përballje që përcakton skuadrën anti-Skënderbe. Korçarët do të luajnë në Shkodër dhe normalisht të dyja skuadrat do të jenë të interesuar dhe për këtë takim. Edhe pse diferenca me vendin e parë është e konsiderueshme, në Kukës mund të përcaktohet forca e dytë e kampionatit, pavarësisht se një fitore e kuksianëve do bënte që të kishin sasi të njëjtë pikë me vlonjatët.

FORMA
Në fazën e parë, në takimin që u zhvilluar në Vlorë, takimi u mbyll në barazim 1-1, me kuksianët që kaluan të parët në avantazh, por në fraksionin e dytë barazoi Bushiç. Aktualisht të dyja skuadrat kanë treguar se janë në momente të mira. Vlonjatët mundën në pak ditë dy herë Partizanin minimalisht në kampionat dhe në Kupë. Në krahun tjetër Kukësi triumfoi në Shkodër me rezultatin 1-3, ndërsa në Tiranë mori një barazim 1-1 me bardheblutë për Kupë. Duke parë formën që po tregojnë ekipet, pritshmëritë janë të mëdha për këtë ndeshje. Pakult nuk do të ketë në dispozicion Albi Allën, por dhe Rustem Hoxha nuk është ende plotësisht gati. Në krahun tjetër, Duros do i duhet të bëjë pa Bicajn.

MALLKIMI
10 ndeshje, 10 fitore për Kukësin. Fusha e Kukësit mund të konsiderohet e “mallkuar” për vlonjatët që kurrë nuk e kanë provuar qoftë dhe barazimin në stadiumin e kampionëve. Jo vetëm kaq por në 6 takimet e fundit Flamurtari nuk ka shënuar asnjë gol. Kuksianët kanë arritur që të marrin dhe rezultate të thella, si 6-1 apo 4-0. Duro me skuadrën e tij do të kërkojë që ta thyejë këtë mallkim, në një sezon kur Kukësi nuk ka qenë dhe aq kompakt në takimet që ka zhvilluar si skuadër pritëse. Për këtë ndeshje vendasit e kanë bërë hyrjen e lirë, për të pasur dhe mbështetjen e tifozerisë kuksiane.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.