Uanda rikthehet protagoniste, tifoze e Realit dhe sulm i pastër ndaj Interit

0

Mauro Ikardi është shumë pranë largimit nga Interi. Diçka e tillë nuk mund të ndodhë tani, por fundi i sezonit do të na tregojë dhe ekipin e ri të sulmuesit. Trajneri Spaleti tentoi të rregullonte raportet, por asgjë nuk u sqarua mes tyre, me Ikardin që nuk do të grumbullohet as për ndeshjen e Ligës së Europës kundër gjermanëve të Ajntrahtit.

Uanda Nara është rikthyer të veprojë dhe të flasë në rrjetet sociale. Agjentja dhe gruaja e ish-kapitenit të Interit ka filluar të ndjekë klubin e Realit të Madridit në “Instagram”. Më parë ishte Mauro, ai i cili nuk e kurseu një “like” për festën e Juventusit pas fitores me Napolin, ndërsa tashmë është Uanda që i “shkel syrin” klubit madrilien.

Juventusi dhe Reali i Madridit janë dy klubet favoritë për blerjen e 26-vjeçarit dhe Uanda komentoi para disa ditësh në këtë mënyrë mundësinë e kalimit të burrit të saj në Madrid. “Nuk është e vërtetë që Mauro nuk u transferua në Madrid për fajin tim. Kemi shumë respekt për atë klub”, komentoi agjentja, e cila ka replikuar me një fans në Twitter.

Tifozi zikaltër ndihet i shqetësuar për derbin e Milanos (luhet me 17 mars) dhe mungesën e Ikardit, duke akuzuar Uandën për këtë situatë. “Unë nuk vendos, nuk kam bërë asnjë zgjedhje. Kush merr vendime mban përgjegjësitë. Unë kam për detyrë të rregulloj gjërat dhe të gjej zgjidhjen më të mirë për një vendim të pavlerë sipas mendimit tim. Të përqafoj dhe faleminderit… edhe nëse të kanë bërë të besosh të kundërtën, atëherë bravo”, përfundon Uanda Nara.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.