“U zgjova që në 7 për vendimin, ja mesazhi i futbollistëve në celular”

0

Trajneri rrëfehet për “Sport Ekspres” mbi maratonën prej 9 muaj që pas incidenteve: “E dija që ditën që u futa në KAS se kishim argumentet e duhura për të fituar të drejtën tonë. Europiani? Danimarka vendimtare”

Anton Cicani

Shumë i qetë, më shumë nga sa dikush mund të priste… Të fitosh “pa luajtur”, ndoshta për Xhani de Biazin nuk është arritje, por drejtësia e vendosur në KAS dje në mëngjes ka qenë padiskutim një lumturi e brendshme për italianin, i cili e shfaqi me një çlirim në fjalët e tij. E megjithatë, në anën tjetër të telefonit, trajneri i Shqipërisë dhe… shqiptarëve, ruan euforinë, ashtu si ka disa vjet që po na e mëson edhe ne shqiptarëve, që e kemi një “sëmundje” të lashtë. Sigurisht, nuk mund të parashikosh mikinën e tij në momentin kur presidenti Duka i ka dërguar mesazhin e fitimit të 3 pikëve në tavolinë ndaj Serbisë, por mund të imagjinosh ndjesinë që ka provuar, sepse është e njëjta me atë të gjithë ne, që e prisnim këtë ditë. Për “Sport Ekspres”, ja rrëfimi i tij, mes notave realiste, entuziaste, besimit dhe… paralajmërit, për ndeshjet e mbetura, aty ku Shqipëria duhet t’I japë gaz dhe të mos frenojë…

–              Mister, komenti juaj i parë për Drejtësinë e vendosur në vend, ashtu si të gjithë shqiptarët dhe ju prisnit…

–              Çfarë mund të them , “finalmente”, pra më në fund. Kishte ardhur koha që të merrnim atë që meritonim që prej asaj mbrëmje të hidhur për futbollin.  Ky vendim është diçka e jashtëzakonshme dhe një lumturi e papërshkruheshme.

–              E prisnit, pasi mes opinionit publit kishte skepticizëm dhe një farë mosbesimi, nisur nga vednimi i Komisionit të Disiplinës në UEFA dhe Apelit?

–              Të them të drejtën kisha besim tek KAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) duke qenë organ i pavarur nga istancat e futbollit botëror. Madje, krijova një besim akoma të madh se vendimi do të na buzëqeshte ne ditën kur vetë personalisht u ndodha në zyrat e KAS, aty ku bëmë deponimin dhe dorëzuam mbrojtjen tonë të argumentuar, siç ju e dini. Vura re se kishim të bënim me një staf avokatësh, juristësh dhe gjyqtarësh të kualifikuar, ndaj edhe brenda meje nisi të krijohej ajo siguri se do të veprohej në zbatim të të drejtës dhe të fakteve, ashtu si edhe ndodhi.

–              Ndërkohë, kanë kaluar thuajse 9 muaj prej ditës së ndeshjes. Duke e krahasuar me një shtatzani dhe dhimbjet e saj deri në lindje dhe çlirim, a mund të jetë ky krahasimi i duhur?

–              Vërtet, nëntë muaj. As nuk e kisha vënë re këtë gjë të jem i sinqertë, por tani që ju më thoni, është një kohë shumë e gjatë. Tamam, një lindje, por kjo pritje e madhe dhe shpeshherë mes ankthit, ia vleu, pasi, e përsëris, morëm atë që na takonte, të drejtën tonë.

–              Dita e enjte, rekordi historik në renditjen FIFA, pasi jemi në vend të 36-të për muajin Korrik, ndërsa e premtja, dhënia e fitores në tavolinë dhe 3 pikët që na u hoqën nga UEFA. Duhet të kesh zemër të fortë, besojmë se e juaja ka rrahur shumë…

–              Vërtet, dy ditë të bukura. Historik vendi i 36-të që është edhe fryt i punës së futbollistëve, që janë duke zhvilluar një edicion të jashtëzakonshëm deri tani dhe që kanë merita të mëdha që po i dhurojnë tifozëve emocione të tilla. Sa i përket vendimit, epo çmund të them: dita ime nisi me zgjimin që në orën 7:00 të mëngjesit, teksa qëndroja përpara internetit dhe portaleve të ndryshme për të pritur vendimin… Në orën 10:00 më erdhi mesazhi i parë që më njoftonte: “Morëm 3 pikët”. Ishte presidenti i Federatës së Futbollit, zoti Armando Duka. Më pas, nisën edhe mesazhet e tjera të urimeve e kështu me radhë, siç ndodh në të tilla raste

–              Në Federatën Shqiptarë të Futbollit, ndërkaq, u festua me shampanjë dhe duartrokitje. Mungonit vetëm ju në ato momente të gëzuara dhe harmonioze…

–              Tani është drekë (koha kur edhe u bë telefonata), por sigurisht, që në mbrëmje edhe unë do të ngrej dollinë time për këtë ditë të shënuar

–              Mister, tani vjen dhe pjesa më e vështirë. Ju keni eksperiencën e duhur për të mbajtur nën “fre” euforinë e djemve, pasi jemi në kuotën e 10 pikëve. E keni menduar se si?

–              Jo, jo… Dëgjoni, djemtë s’janë aspak euforikë dhe nuk do të marrin asnjë ndeshje me lehtësi. Madje, ju zbuloj se në mesazhet që më kanë dërguar, shumica më thonë: “Mister, tani do të japim akoma më shumë në fushë, sepse për ne është motivim”. Praktikisht, ky vendim ka vlerë dyfish, si për pikët, ashtu edhe për motivimin.

–              Praktikisht jemi në plejof, por duam që të futemi në Europianin e Francës nga “dera kryesore”. Si i parashikoni ndeshjet e mbetura?

–              Siç e kam thënë dhe vazhdoj ta them, s’më pëlqejnë titujt triumfues, pasi ka ende punë. Atëherë, kemi katër ndeshje të luajtur dhe smund të bëjmë gabimin që të luajmë sikur të kishim arritur gjithçka.

–              Dakord, katër ndeshje, por vetëm dy janë kryesore, pasi Armenia dhe Serbia tashmë mund të quhen “karta të djegura” të grupit?

–              Ashtu mendoni ju, por kush më garanton mua që do të luajnë për të humbur, ose që Serbia do të vijë në Shqipëri për të shëtitur? Do të luajnë për të fituar dhe për të mos falur asgjë, ashtu si duhet të bëjmë edhe ne.

–              E megjithatë, sfida e Kopenhagenit, është jo vetëm e para nga katër të fundit, por edhe ajo që përcakton shumë gjëra

–              Sigurisht, sepse aty duhet të bëjmë një rezultart pozitiv, pasi Danimarka është rivali ynë direkt për vendin e dytë në grup. Ndaj, duhet të përgatitemi më së miri

–              A e dini se po shkruani historinë e Shqipërisë dhe në rast se shkojmë në Francë do të bëheni një hero kombëtar?

–              Nuk e shoh në këtë aspekt, por në spektrin se ky grup futbollistësh, këta tifozë dhe kushdo ka ndihmuar në këtë ëndërr, duhet të shpërblehen, por fjala i mbetet fushës.

–              Mesazhi juaj për tifozët shqiptarë, që tashmë i kanë kapur ethet e euforisë?

–              Të qëndrojmë me këmbë në tokë, të vazhdojmë të besojmë dhe bëjmë tifo për këtë Kombëtare. Të tjerat vijnë më pas. Janë më të mirët, padiskutim

–              Së fundmi, kontrata e juaj. Presidenti Duka tha në konferencë se në Francë shkojmë me De Biazin, sidoqoftë, por që kjo aktuale skadon në qershorin tjetër. Praktikisht, rinovimi lidhet me kualifikimin?

–              Praktikisht, ka klauzolë brenda kontratës aktuale që në rast kualifikimi në Francë, atuomatikisht do të rinvoj edhe për dy vjet të tjera, kështu që nuk ka asnjë risi apo diçka bombastike.

Rinovimi

“Praktikisht, ka klauzolë brenda kontratës aktuale që në rast kualifikimi në Francë, atuomatikisht do të rinvoj edhe për dy vjet të tjera, kështu që nuk ka asnjë risi apo diçka bombastike”

Thirrje tifozëve

“Të qëndrojnë me këmbë në tokë, të vazhdojmë të besojmë dhe bëjmë tifo për këtë Kombëtare. Të tjerat vijnë më pas. Janë më të mirët, padiskutim”

Dollia

“Tani është drekë (koha kur edhe u bë telefonata), por sigurisht, që në mbrëmje edhe unë do të ngrej dollinë time me shampanjë për këtë ditë të shënuar”

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.