U tha për mbyllje të Serisë A, reagon Napoli: Ky është plani B, nuk ka ndodhur kurrë në histori

Edhe pse kaosi po mbizotëron në Itali për shkak të numrit të lartë të të prekurve dhe viktimave nga pandemia e Koronavirusit që ka ndalur edhe jetën sociale, krerët e klubeve të futbollit të Serie A i kanë ende sytë nga kampionati. Këto ditë po përpiqet shumë që të gjendet një zgjidhje për të çuar deri në fund sezonin e ndërprerë. Presidenti i Shoqatës së Futbollistëve, Tommasi u shpreh se anullimi i kampionatit është një mundësi serioze, ndërsa akuzoi presidentët e ekipeve të Serie A se luajnë muzikë si te Titaniku në një kohë kur anija po mbytet.

Ndërkohë këtë alternativë e pranon në një farë mënyre edhe avokati i Napolit, por në skenarin më të keq të mundshëm. Sipas Mattia Grassanit plani është që kampionati të përfundojë në 30 qershor, ndërsa në rast fatkeqësie kërkon një zgjatje me 15-20 ditë të sezonit, që do të ishte edhe hera e parë në histori. E nëse kjo nuk është e mundur atëherë do të shqyrtohet anullimi i gjithë kampionatit, gjë që klubet nuk e duan aspak.

“Plani A është të përfundojë në 30 qershor. Në rast fatkeqësie që nuk është e mundur të përfundojë më 30 qershor, duhet të vendoset një forcë pune për të zgjatur sezonin 2019/20 me 15-20 ditë. Dhe së fundi, UEFA gjithashtu duhet të japë miratimin e saj. Do të ishte një zgjatje që nuk ka ndodhur kurrë në historinë e futbollit. Megjithatë ajo mund të çojë në një kalendar më pak të kompromentuar. Meqenëse fillojmë përsëri duhet të luajmë çdo javë të dielën dhe të mërkurën. Nëse 30 qershori nuk do të ishte një qëllim i zbatueshëm, plani B është të arsyetohet për anullimin, i cili duhet të kenë pëlqimin e të gjithëve”, është shprehur Grassani./Sport Ekspres/