U përfol se do të kthehej në parkim, kryebashkiaku i Kamzës shuan zërat për stadiumin: Nuk e kemi menduar

Lajmi për prishjen e stadiumit të Kamzës dhe për t’a kthyer atë më pas në një parkim makinash ka marrë jehonë të madhe dhe është kthyer në vëmendjen e të gjithëve. Banorë të zonës kanë protestuar për një vendim të tillë, ndërsa shumë figura të ndryshme kanë shprehur shqetësimin e tyre në lidhje me këtë çështje. Por është vetë kryetari i Bashkisë Kamëz, Rakip Suli, ai i cili i qetëson të gjithë, teksa shuan çdo zë të mundshëm në lidhje me këtë temë.

Në një prononcim për “ABC News“, Suli shprehet se nuk ka pasur ndonjë ide të tillë për prishjen e stadiumit. Më tej shton se çdo veprim prej tij do të kryhej nëpërmjet një dëgjese publike, ndërsa shton se nëse do të ekzistonin kushtet ekonomike dhe të gjendej prona, atëherë mund të nisnin një projekt për të ndërtuar stadium të ri me parametrat e duhur. E në një rast të tillë kryebashkiaku i Kamzës shprehet se pasyshim që do të kërkonin mbështetjen e Federatës për t’u dhënë ide më të qarta.

“Që të jemi të qartë, deri tani që flasim, nuk kemi pasur asnjë ide për marrjen e një vendimi për prishjen e stadiumi të Kamzës. Dihet që Kamza nuk e vazhdon aktivitetin. Ne mund të gjejmë ambient tjetër për të ndërtuar stadium tjetër, me të gjithë parametrat që duhet. Gjithsesi, për të vajtur te kjo pjesë, së pari ka një faturë ekonomike.

Duhet edhe një projekt, pastaj duhet bërë dëgjesë publike me qytetarët. Unë jam kryetar bashkie, nuk jam pronar. Sa i takon investimeve të mëdha që bëhen në territorin e Bashkisë Kamzë, do vendoset me dëgjesa publike, pa shkuar në Këshill Bashkiak. Kjo jo vetëm për stadiumin

Nëse do kemi mundësi, kur të gjendet prona dhe paratë, atëherë mund të flasim. Normal me një stadium me parametrat e duhur, pasi sot që flasim stadiumi nuk është se ka kushtet e domosdoshme për të bërë aktivitetet. Do merremi edhe me skuadrën.

Jo vetëm do kërkojmë mbështetjen e Federatës, por edhe një ide, mbi parametrat, kushtet, nëse do të vendoset për një stadium tjetër. Ata kane specialistë që kanë ide më të qarta. Federata është në plan të parë, nëse vendosim zhvendosjen e këtij stadiumi nga qendra e Kamzës”, ka deklaruar Rakip Suli./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *