U largua nga Kombëtarja se donte vend titullari, Grezda: Reja nuk më ka kontaktuar, me të dashurën harrohen ditët

Nga Klaudio Ndreca

Kur pritej që Eros Grezda të bënte shpërthimin e madh të karrierës, aty nisën edhe hapat pas. Paraqitje fantastike bëri ky futbollist te Osijeku, duke marrë vëmendjen e trajnerit Gerrard. Tekniku i Rangersit e ka ndjekur vetë në stadium në Kroaci, duke e marrë me vete në Skoci.

Por asnjëherë nuk arriti që të lërë gjurmë dhe të marrë vendin e titullarit. E shoqëruar me disa sjellje problematike, u vendos që të largohej dhe të rikthehej te Osijeku. Në një intervistë për “Fan Zone”, Grezda shprehet se rikthimi në Kroaci i ka bërë mirë, pasi ishte përshtatur shumë me këtë vend. Gjithashtu dëshira e sulmuesit është që të vijë te Kombëtarja, megjithëse u largua në mënyrë të pakëndëshme pasi kuptoi që Reja nuk po e aktivizonte si titullar dhe nuk po e projektonte si të tillë për ndeshjen kundër Islandës.

“Nuk jam mërzitur fare në karantinë dhe jam stërvitur shumë. Që para mbërritjes së Koronavirusit unë isha përgatitur dhe mora të gjitha materialet për të qenë në formë dhe për t’u përgatitur në shtëpi. Mua më kanë kaluar këto ditët me të dashurën në shtëpi kështu si pa u kuptuar fare.

Kam kaluar 3 vite e gjysmë në Kroaci dhe isha shumë i lidhur me këtë vend. Më ka bërë shumë mirë ky rikthim në të gjitha aspektet. Pishman nuk bëhem kurrë në jetë, Rangersi është një klub i madh dhe nuk mund t’i thoja “JO” ofertës që vinte prej andej. Unë në fakt kam qenë dhe i dëmtuar në ato kohë.  Sot po shikoja në “Youtube” ndeshjet e mia me Rangersin dhe golat që kam bërë, atmosfera atje dhe tifozët nuk krahasohen me asgjë tjetër. Është kulmi për një futbollist të luajë atje.

Me trajnerin Reja nuk kam pasur asnjë lloj kontakti pas atyre polemikave. Unë jam gati gjithmonë që të jem pjesë e kontaktit. Jam duke luajtur edhe me skuadrën time, prandaj dua të kthehem te Kombëtarja”, tha Grezda. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *