U kërcënua nga presidenti Vuçiç, flet babai i Joviç: Po e trajtojnë si kriminel, le të shkojë në burg

Luka Joviç ndezi një debat të gjerë me veprimin e tij, duke lënë Spanjën për të shkuar pranë të dashurës së tij në Serbi për shkak se kjo e fundit kishte ditëlindjen. Disa foto të tyre duke festuar u bënë publike dhe kjo mori menjëherë reagimin e presidentit Vuçiç, i cili e kërcënoi futbollistin e Realit të Madridit me burg, pasi theu kështu rregullat e vendosura nga shteti në këto momente lufte ndaj pandemisë Covid-19, duke zhvlerësuar kështu milionat që ai merr në fund të muajit.

Një reagim vjen tani nga vetë babai i lojtarit serb, që shprehet se e pranon që djali i tij të shkojë prapa hekurave, por vetëm për një krim të cilin e ka kryer. Sipas tij Luka po trajtohet si një kriminel edhe pse nuk ka bërë asgjë të gabuar, pasi thjesht ka qendruar në shtëpi.

“Luka bëri dy teste për Koronavirus dhe rezultoi negative në të dyja. Për këtë arsye mendoi se mund të vinte në Serbi. Tani duket sikur është një kriminel i madh. Nëse duhet të shkojë në burg, atëherë le të shkojë. Jam totalisht dakort me presidentin e Serbisë dhe kryeministrin, por vetëm nëse është fajtor. Do e mbështesja çdo vendim nëse Luka do të kishte bërë diçka të gabuar, por ai erdhi në Beograd dhe qendroi në shtëpi. E dashura e tij, Sofia, është shtatzënë dhe nuk mund të dilte jashtë për të festuar ditëlindjen. Kanë dalë disa foto të tyre duke festuar, por janë që nga Spanja”, ka thënë Milan Joviç, babai i futbollistit Luka Joviç./Sport Ekspres/