“U godit anësori, kërcënime me jetë dhe ofendime pafund ndaj arbitrave”

Ndeshja Iliria-Korabi, që përfundoi me rezultatin 2-2, ka qenë e tensionuar. Në pjesën e dytë të takimit për një moment është ndërprerë sfida, pasi anësori në krahun e tribunës përkarshi është goditur nga tifozët me shishe.

Por nga ana e klubit dibran thuhet se lojtarët, stafi dhe drejtuesit e fushë-krujasve kanë bërë presion ndaj arbitrave dhe zyrtarëve të tjerë të ndeshjes. Madje, drejtori sportiv Fehmi Mëziu është shprehur se janë kërcënuar edhe me jetë.

“Falënderoj djemtë e ekipit për karakterin e treguar dhe lojën që zhvilluan sot në Fushe-Krujë. Një ndeshje e cila nisi mirë dhe gjithçka shkoi normalisht deri në fundin e pjesës së pare. Stafi i Ilirisë dhe lojtarët nisën presionet mbi kryesorin e takimit, anësorët, delegatë dhe vëzhgues. Pjesa e dytë ishte komplet ndryshe dhe nuk ishte më lojë futbolli, por një turp për futbollin Shqiptar. Sipas meje, minimalisht 2 lojtarë të Ilirisë duheshin larguar me karton të kuq për ofendime ndaj zyrtarëve të takimit dhe ndaj lojtarëve dhe stafit tonë.

Largimi nga pankina i Salës ishte vendimi i duhur, pasi gjatë gjithë kohës ka lëshuar ofendime ndaj të gjithëve. Ne kemi një ekip të ri në moshë, të cilët kërkojnë të luajnë futboll dhe kurrë nuk bëhen rast për disiplinë brenda në fushë, pasi kjo është dhe politika e klubit. Ne jemi kundër dhunës dhe problemeve, por kjo nuk do të thotë që nuk do t’i kërkojmë të drejtat tona. Presione të tilla ndikuan në rezultatin e sotëm, pasi ekipi ishte nën presion të tifozerisë dhe lojtarëve të ekipit të Ilirisë, duke ofenduar dhe treguar dhunë ku arriti deri në ndërprerjen e takimit, pasi anësori u sulmua nga tifozëria vendase duke i gjuajtur mbi 10 shishe uji në trupin e tij. Takimi nuk duhet të kishte filluar pa u boshatisur stadiumi, por filloi dhe aty doli situata nga kontrolli.

Momenti i tensionit në Fushë-Krujë

Ofendimet në kor drejt arbitrave, presionet e lojtarëve në fushë dhe ndërhyrje të ashpra ndaj lojtarëve tonë e kthyen në një arenë stadiumin “Redi Maloku”. Në përfundim të takimit u detyruam ta mbyllim me 10 lojtarë pas shënimit të golit të dytë, pasi Murrja u dëmtua në gju nga ndërhyrja e portierit, edhe pse e mori përsipër dhe e shënoi golin. Në minutën e 92-të kryesori jep shenje 10’ shtesë pa kuptuar, ndërprerja e lojës nga incidenti ndaj anësorit ishte 3’. Takimi nuk mbyllej pa barazuar Iliria dhe goli i Murrjes i prishi të gjitha planet. Gjithsesi nuk ju vë faj arbitrave, pasi janë kërcënuar gjatë gjithë takimit me jetë dhe janë ofenduar me familje nga lojtarët, stafi, pankina dhe policia edhe zyrtarët e ndeshjes. Ky nuk është futboll dhe këto persona duhet të rrinë larg fushës!

Ne barazuam në shtëpi me Vorën, fajin e gjejmë te vetja. I presim dhe përcjellim si miq kundërshtarët dhe nuk do të tolerojmë që të bëhen të tilla veprime ndaj sportistëve tonë, kërkojmë publikisht që të merren masa ndaj këtyre personave dhe të parandalohen të tilla veprime, në të kundërt nuk do të pranojmë të zbresim në fushë nëse nuk na garantohet siguria”, thuhet në deklaratën e Mëziut, që klubi dibran e ka publikuar në faqen zyrtare në “Facebook”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *