U bë i njohur nga përralla e “Premier League”, Mahrez nuk kursehet: Më humbën 2 vite kot!

Përralla më e bukur në historinë e “Premier League” ishte ajo e Leiçester. Një ekip që u mendua se do të luftonte për mbijetesën, por në fund arriti që të fitonte kampionatin në Angli.

Një prej lojtarëve më të dalluar atje ishte Mahrez. Shumë magji në këmbët e tij dhe interesimi për ta transferuar nuk ka munguar kurrë. Por do të ishte vetë Leiçesteri që do ta bllokonte pasi e konsideronte si të paprekshëm. Aktualisht te Manchester City, por Mahrez nuk kursehet me kritikat e tij:

“Pas atij sezoni kur fituam në kampionat, nëse do të luaja për një ekip më të lartë, historia ime mund të kishte qenë krejtësisht ndryshe.

Është e qartë për mua që humba dy vjet për të luajtur në nivelin më të lartë. Kam humbur dy vjet kot. Erdha në City në moshën 27 vjeç dhe mund të luaja këtu kur isha 24 ose 25 vjeç. Leicester më bllokoi. Ata thjesht thonin se nuk mund të largohesha.

Agjenti im bisedoi me Wenger, i cili me të vërtetë donte të më merrte. Në verën e vitit 2016, transferimi ishte pothuajse i plotë dhe dështimi ishte shumë zhgënjyes. Kjo është një lojë krejtësisht e ndryshme. Të gjithë thjesht ju shikojnë dhe presin që të nxirrni diçka nga asgjë”, ka thënë Mahrez. /Sport Ekspres/