Turpi shqiptar, bullgarët habiten që nuk lejohet uji në stadium

Ne jemi mësuar, si bagëtitë, futemi në stadium duke mos na u lejuar uji dhe asgjë tjetër, as çadrat kur ka furtunë, as monedha dhe as çakmakë. Në një ndeshje, një polic iu përgjigj një gazetari: “Do ujë ti? Mos eja në stadium, nuk të detyron njeri të vish”.

Për fat, injorantëve që na mbrojnë jetën në stadiume nuk u ka shkuar mendja se mund të godasim ndonjë lojtar me këpucë, sepse te hyrja do na thonë: Hiqni këpucët dhe lërini aty, se do t’i gjeni kur të dilni!

Ndeshja Partizani-Botev u luajt në 35 gradë pak a shumë dhe tifozët bullgarë janë trajtuar po aq mirë e bukur si ne. Të paktën jemi të barabartë me botën: asgjë me vete, as ujë!

Këtë e kanë denoncuar edhe tifozët bullgarë, që kishin bërë me qindra kilometra për të ndjekur skuadrën e zemrës dhe përtej gjithë problemeve që për ne janë normale, ata janë mahnitur nga ndalimi i ujit në stadium.

Fundja, kush e vret mendjen që nuk ka banjo në stadium, apo rrezikohet jeta jashtë tij pasi nuk ka organizim për ndarjen e tifozerive që jashtë qytetit. Të paktën ujë për të pirë? Jo, as që bëhet fjalë! Një shishe plastike uji, e hedhur nga sektori ku ishin bullgarët (shumë metra larg fushës), mund të kthehej në një bombë atomike që do të linte të vdekur gjysmën e stadiumit.

Tifozët bullgarë rrëfejnë për “plovdivderby.com” se uji u jepej herë pas here nga lojtarët e vet, ndërsa e mbyllin me një fjali që në fakt nuk është se na bën shumë përshtypje: KY SHTET NUK E KA VENDIN NË BASHKIMIN EUROPIAN!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *