Troplini flet si kapiten: Erzeni e meriton Superioren, do bëjmë gjithçka!

0

Erzeni e nis me shumë ndryshime sezonin e ri, që nga shefi i klubit, ndryshim rrënjësor lojtarësh e deri te kapiteni i ekipit. Së fundmi, kryesia e klubit ka vendosur që shiritin e kapitenit ta marrë mesfushori Rejnaldo Troplini. Tërësisht i merituar, pas 5 sezoneve me skuadrën e qytetit të tij.

Troplini e shikon si sfidë këtë detyrë të vështirë, pasi do t’i duhet të mbledhë skuadrën, e cila duhet thënë se ka shumë ndryshime nga sezonet e fundit. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, Troplini shprehet:

“Fillimisht dua të falënderoj drejtuesit, tifozët dhe shokët e skuadrës që votuan për mua. Është e vështirë të jesh kapiten, pasi merr përgjegjësi më të mëdha dhe padyshim do jap maksimumin këtë sezon, që akoma pa nisur, duket se do të jetë i vështirë, por besoj edhe më i bukur”.

“Sezoni i ri do të nisë me të njëjtin objektiv, ngjitjen në Superligë. Sfidë e madhe dhe e vështirë, pasi po shohim shumë  skuadra që po përforcohen. Padyshim, ne kemi bërë afrimet tona dhe po krijojmë një grup të shkëlqyer”.

“Mendoj se ky është viti i duhur për të tentuar deri në fund e për të mos u dorëzuar, siç ka ndodhur në sezonet e fundit që prej rikthimit në Kategorinë e Parë”.

“Tifozët tanë na kanë mbështetur shumë dhe jo pak herë në transferta të largërta na dukej sikur ishim në shtëpi, vetëm falë prezencës së tyre. Kështu që do të synojmë t’ia shpërblejmë dhe të festojmë bashkë një objektiv madhor, si ai i ngjitjes në Superligë”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.