Tronditet Teuta, hetimi austriak shtrihet në Shqipëri

0

Teuta e Durrësit në telashe me drejtësinë, pasi është ende nën hetim nga organet e drejtësisë të Austrisë për trukim të rezultatin të ndeshjes miqësore të futbollit Austria Vjenë-Teuta, e luajtur më 21.06.2016 në Seeboden të Austrisë dhe që ka përfunduar 7-2 për austriakët. Ekipi shqiptar dyshohet se ka humbur qëllimisht me rezultat të thellë për të përfituar financiarisht nga bastet sportive.

Lajmi i bujshëm raportohet nga “Shqiptarja.com”, që ka siguruar letër-porosinë që u kanë dërguar autoritetet e drejtësisë austriake atyre shqiptare, në mënyrë që hetimet të vazhdojnë edhe në vendin tonë. Nga pala austriake kërkohet prej Prokurorisë shqiptare që të merren në pyetje në kuadër të hetimit për trukimin e kësaj ndeshje disa shtetas shqiptarë.

Nga burime të gazetës, mësohet se bëhet fjalë për disa lojtarë të Teutës dhe pjesë e stafit të skuadrës dhe se mund të jenë rreth 5 persona. Këta shtetas shqiptarë akuzohen nga drejtësia austriake për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”. Gjykata e Tiranës i ka dhënë autorizimin e saj Prokurorisë së Tiaranës për të proceduar sipas kësaj letër-porosie të austriakëve dhe së shpejti të dyshuarit të do të merren në pyetje.

dokument teuta
Faksimile e leter-porosise austriake per autoritetet shqiptare per hetimin e ndeshjes

Historia e ndeshjes së dyshuar
Ndeshja për të cilën drejtësia austriake është e bindur që është manipuluar është zhvilluar në verën e vitit të kaluar në Austri. Gjatë fazës përgatitore në prag të fillimit të sezonit futbollistik 2016-17 skuadra e Teutës ka qenë në Austri ku ka zhvilluar më 21 qershor një ndeshje përgatitore me ekipin vendas Austria të Vjenës, një nga skuadrat më të mira të Austrisë, ndaj fitorja e saj me Teutën nuk do përbënte lajm në vetvete. Mënyra se si erdhi kjo fitore e sidomos rezultati i thellë krijuan dyshime. Teuta pësoi katë gola në pjesën e parë, që përfundoi 4-0. Sapo filloi e dyta ekipi durrsak ngushtoi rezultatin me dy gola që shënoi, por më pas pësoi edhe tre të tjerë duke e mbyllur ndeshje me humbjen 7-2. Pikërisht tek golat e pësuar në fund të ndeshjes, sidomos për dy të fundit ngrihen dyshimet më të mëdha nga drejtësia austriake.

Si filluan hetimet
Siç raportuan në atë kohë mediat austriake, ka qenë policia vendase ajo që nisi fillimisht hetimet pas sinjalizime të saj. Por ky hetim është bërë pas një sinjalizimi të dyfishtë, pasi përveç autoriteteve austriake, ndeshjet e Teutës kanë tërhequr edhe vëmendjen e “Sportradar”. Kjo e fundit është kompania që bashkëpunon me UEFA-n kundër manipulimeve të basteve sportive. Katër ditë pas ndeshjes që skuadra durrsake humbi me rezultatin 7-2 ndaj Austrisë së Vjenës, forcat e rendit austriake, me urdhër të prokurorisë së Salcburgut, kanë ushtruar një kontroll të befasishëm në hotelin e saj në Majrhofen. “News.at” raportonte atëherë se u morën në pyetje lojtarët, stafi dhe zyrtarë të klubit që ishin të pranishëm. Nga policia vendase janë sekuestruar disa telefona celularë që ata kishin në përdorim, si dhe shkresa të ndryshme, të cilat mendohet se mund të ndihmonin për të zbardhur këtë ngjarje.

Akuza për mashtrim
Pas hetimeve që kanë bërë në Austri organet e drejtësisë së këtij vendi i janë drejtuar homologëve shqiptarë për ndihmë në mënyrë që të vazhdojnë hetimet duke i pyetur në Shqipëri disa prej personave të dyshuar si pjesëmarrës në manipulimin e rezultatit. Letër-porosia ka mbërritur në Prokurorinë e Tiranës e cila sipas legjislacionit shqiptar ka kërkuar nga gjykata e Tiranës autorizimin për të marrë në pyetje personat e dyshuar për llogari të austriakëve. “Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka ardhur në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesa me objekt “Ekzekutimin e letërporosisë së autoriteteve të drejtësisë Austriake për marrjen në pyetje me cilësinë e te pandehureve shtetasve shqiptarë ***për veprën penale të “Mashtrim i rëndë”.

Versioni i austriakëve për trukimin
Sipas rezultateve të hetimeve të deritanishme, të akuzuarit *** janë të dyshuar se, më dt. 21.06.2016 në Seeboden, nëpërmjet sjelljes në kundërshtim me të vërtetën, në fakt dhe mundësisht pa rënë në sy ndikuan në rezultatin e lojes, i cili ishte dakortësuar më përpara. Nëpërmjet mashtrimit për faktet i kanë çuar ofertuesit të basteve në kryerjen e veprimeve, konkretisht në pranimin e basteve me bashkëpunetor të panjohur dhe në pagesat tek këta bashkëpunëtorë të fitimeve të basteve të arritura në mënyre mashtruese, nëpërmjet të cilave ofruesit përkates të basteve janë dëmtuar në pasurinë e tyre me një shumë deri tani ende të panjohur.

20 minutat e bastet për 9 gola
Nga analiza e tregut të basteve, bërë nga firma Sportradar, rezulton që në 20 minutat e fundit të ndeshjes së futbollit midis ***koeficientet e bastit – në kundërshtim me përvojen e pergjithshme në tregun e basteve – në mënyrë shumë të pazakontë ndryshuan në disfavor të ***. Kështu që në menyrë jo të zakontë shumë bastexhinj sportiv, vendosen baste që gjithsej bëhen të paktën nëntë gola. Përveç kësaj u vu re, që mbrojtësit ***në veçanti në 20 minutat e fundit të ndeshjes janë sjellë shumë pasivë.

Telefonat dhe “arratisja”
Sipas palës austriake, një nga provat më të forta që ata kanë, janë ato që kanë zbuluar nga celularët që u kanë sekuestruar lojtarëve shqiptarë, sidomos të njërit prej tyre. “Përveç kësaj, nga vleresimi i telefonit mobil të të pandehurit të katërt ***Gjatë marrjes në pyetje nga policia të pandehurit mohuan çdo veprim penal. Meqënëse ata u kthyen në Shqipëri përpara vlerësimit të telefonave mobil, ata nuk mund të konfrontoheshin me materialin e provës, i cili i rëndon shumë ata”, thuhet në letër-porosinë e austriakëve.

Marrë nga “Shqiptarja.com”

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image