Tronditet Sopoti, para finales jep dorëheqjen administratori Matraxhiu

0

Moment mjaft delikat për Sopotin, që tashmë rrezikon edhe ekzistencën e vet. Klubi nga Librazhdi, por që nuk shkon në Librazhd prej vitesh, luan sot në “Selman Stërmasi” një finale mbijetese kundër Elbasanit, ku i duhet vetëm fitorja për të evituar rënien direkte nga kategoria dhe për të luajtur në play-off.

Mes krizës financiare dhe mungesës totale të mbështetjes, administratori i klubit Andi Matraxhiu është dorëzuar, duke dhënë dorëheqjen dhe duke lëshuar akuza të forta për bashkinë e Librazhdit, që e ka braktisur skuadrën. Për “Sport Ekspres”, Matraxhiu shpjegon gjithçka po ndodh me Sopotin, duke akuzuar edhe Federatën Shqiptare të Futbollit për tentativat për të zbritur pikërisht Sopotin nga kategoria.

“Jap dorëheqjen në mënyrë të parevokueshme nga skuadra e Sopotit. Jam menduar gjatë para se të merrja këtë vendim, në respekt të lojtarëve dhe stafit teknik, ndërkohë që ndihem i sabotuar nga pjesa e bashkisë, e cila ka edhe maxhorancën e aksioneve në klub.

“Ka skenar edhe për mënyrën si është vepruar me ndeshjen, që ishte programuar të luhej të shtunën. Kemi paguar stadiumin dhe bashkia është lajmëruar pasditen e së shtunës që luhet të hënën, ndërsa ekipi nuk është lajmëruar. Këtu ka sabotim nga çdo krah. E shoh të paarsyeshme të qëndroj në këtë lloj amullie. Skuadra e ka mësuar aksidentalisht të dielën në mbrëmje.

“Është një mungesë totale organizimi dhe në këtë mënyrë unë nuk e marr dot ndeshjen përsipër. Nuk dua të jem pjesë e këtij llumi, nuk e di çfarë skenarësh thuren, por më mirë të dal i pastër nga kjo histori. Dua të dal me përgjegjësi të plotë para të gjithëve, janë edhe lojtarët dëshimtarë që kemi qenë gjithnjë të pastër dhe kështu dua të jem deri në fund, pa u bërë pjesë e asnjë skenari. Me sa duket do të tentojnë të hedhin Sopotin një kategori më poshtë. Skuadra është jetime, pa asnjë ndihmë e asnjë mbështetje, deri tani kemi ecur para me ndihmën time, ndërsa bashkia ka kontribuuar, por jo sipas rregullave e detyrimeve që i nevojiteshin skuadrës. Skuadrën e kam mbajtur unë, më kanë ndihmuar gjithë shokët e mi, duke funksionuar në mënyrë amatore. Kryebashkiaku dhe të tjerët nuk kanë ardhur asnjë sekondë ta ndjekin ekipin, ta takojnë, ta përkrahin. Funksionarët e bashkisë dalin në skenë vetëm në momentet kur ekipi u duhet dhe po ngatërrohet politika me futbollin. Kjo është e gjitha, jap dorëheqjen dhe i uroj sukses skuadrës sot.

“Është llogaritur që edhe ndeshja të mos transmetohet në TVSH, pasi i gjithë fokusi është te Superiorja, ndërkohë që na e kanë futur duke na sjellë një arbitër si Sokol Çekaj, që të gjithë e dinë çfarë është i aftë të bëjë. Duan ‘black-out’ për të bërë çfarë u do qejfi”.

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here