Triumf pa turp, Hamilton i pari me urdhër

Ljuis Hamilon me Mercedesin e tij ka triumfuar në Çmimin e Madh të Soçit në Rusi, duke arritur fitoren e 70-të në karrierë dhe duke qenë tashmë i sigurt për titullin kampion për pilotë në Formula 1.

Mund të quhet fitorja me më pak nder për Hamilton, sepse britaniku kaloi shokun e skuadrës Botas vetëm për shkak të një urdhri të dhënë nga skuadra nëpërmjet radios. Në mesin e garës Botas ishte i dyti dhe hapi krahun për të lejuar Hamiltonin ta parakalonte, ndërsa më pas kryesuesi i Botërorit kaloi edhe Verstapen, i cili u fut në bokse për pit-stop.

Në fund dy pilotët Mercedes e mbyllën në dy vendet e para, ndjekur nga Fetel dhe Raikonen. Për Ferrarin Botërori praktikisht ka marrë fund, pasi tashmë Fetel është 50 pikë pas Hamilton në renditje. Për Mercedes është hera e 43-të në histori që bën dopietë në një garë, e treta herë këtë vit dhe e shtata për dyshen Hamilton-Botas.

Hamilton është i dyti më i mirë në histori, me 130 ngjitje në podium, ndërsa më i madhi është Mikael Shumaker, me 155 podiume.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *