“Trinom uruguaian”, Konte përgatit planin B

Antonio Konte pret sulmues dhe drejtuesit e Interit duhet të sakrifikojnë pak më shumë. Romelu Lukaku është drejt transferimit në Torinon bardhezi, kështu që zikaltrit po shohin opsione të tjera.

Ante Rebiç është ndër të preferuarit, por jo vetëm. Ideja e fundit quhet Edinson Kavani. 32-vjeçarit i përfundon kontrata me PSG-në verën e ardhshme, ndërsa përfiton 12 milionë euro në sezon.

Ideja e rikthimit në Serie A, aty ku ka shkëlqyer me Palermon dhe Napolin, e tundon. Corriere dello Sport raporton se Interi ka ngarkuar tre agjentë që të nisin negociatat, në fillim me sulmuesin e pastaj me klubin francez.

Uruguaianin e pret një kontratë 3-vjeçare me 9 milionë euro rrogë sezonale. Fakti që në Milano do të bashkohet me Diego Godin dhe Matia Vesinon është një plus i madh. Raportet e “El Matador” me dyshen zikaltër, sidomos me mbrojtësin, janë perfekte.

Diçka e tillë u pa edhe në miqësoren mes Interi dhe PSG-së. Kavani dhe Godin biseduan, bënë shaka dhe qeshën pafund me njëri-tjetrin. Ku i dihet, Godin mund ta ketë ftuar Kavanin që të bashkohet me të në Milanon zikaltër. Urdhri i kapiteni nuk vihet në dyshim…

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *