Tri ndeshje pa fitore në shtëpi, Zidan do “revanshin”

Real Madridi me të vërtet e mposhti Dortmundin në Champions League, por kjo jo domosdoshmërisht do të thotë se skuadra e Zinedin Zidanit i ka kaluar vështirësitë që ka hasur në fillim të këtij kampionati. “Los Blancos” ka tri ndeshje radhazi në shtëpi që nuk fiton dhe trajneri francez e do “revanshin” pikërisht në ndeshjen e sotme me Espanjolin.

“Rivalët kanë lojtarët e duhur për të luajtur me cilësi. Duam të vazhdojmë me atë që jemi duke bërë, të fitojmë me lojë të bukur, që është më e rëndësishmja për ne. Nëse luajmë mirë dhe zbresim në mënyrën e duhur në fushë, do të kemi shumë shanse për të fituar”, – e nisi dje ai konferencën për shtyp.

Asensio – I pyetur për rinovimin e Marko Asensios, Zidan komentoi: “Ai duket shumë i përulur dhe i saktë, i afërt me skuadrën. Stërvitet çdo ditë me Kristianon dhe mëson prej tij. Sigurisht, më gëzon fakti që ka firmosur.”

Ronaldo – Duke respektuar raportin klub-lojtar, trajneri foli edhe për rinovimin e pritshëm të Ronaldos. “Ajo që më intereson më shumë është ajo që ndodh në fushë. Pra, dua që Ronaldo të luajë dhe të shënojë. Pjesa tjetër nuk më takon mua. Mendoj se ai nuk do të ketë asnjë problem me rinovimin. A mund të luajë Bejl? Do e shihni nesër (sot). Mund të jetë. Treshja e sulmit nuk më shqetëson. Për pak kohë do t’i kemi të gjithë në dispozicion”.

Stadiumi – I pyetur për problemet me tifozët në “Santiago Bernabeu” në ndeshjet e fundit, Zizuja u përgjigj: “Tifozët janë këtu për një jetë të tërë. Nuk duam ta ndryshojmë këtë. Nuk mund të mendosh që nuk na pëlqen të luajmë këtu, sepse nëse mund të luanim këtu gjithmonë, të gjitha ndeshjet, do të ishte shumë-shumë më mirë. Dakord, kemi humbur pikë në La Liga, por mund ta ndryshojmë këtë statistikë në ndeshjen e nesërme (sotme), në të cilën duam të fitojmë. Ne i duam tifozët tanë dhe, si unë, ashtu edhe e gjithë skuadra, duam të luajmë në këtë stadium”.

Rinovimi – Për sa i përket kontratës së tij, dihet se Zidan ka një kontratë të re, por ai nuk i shtoi bujë vendimit që ishte njoftuar që në verë. “Nuk do të ketë një akt ceremonial. Jam këtu çdo ditë. Thjesht jam prezantuar si trajner këtu dhe ka mbaruar. Mos prisni fishekzjarre”.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *