Tri arsye pse Bajerni po rikthehet në origjinë

0

Bajerni do të ndryshojë shumë në verë, por jo vetëm me merkato. Klubi bavarez do të ketë tre elemente të reja, të cilat do të dëshmojnë një gjë të përbashkët: kthimin e këtij emri të madh të futbollit gjerman dhe evropian në “kornizat” e përhershme, ato tradicionale. Ju shpjegojmë pse.

Hënes – Një nga veçoritë karakteristike të Bajernit ndër vite ka qenë arroganca. Kjo, si në deklaratat kundrejt klubeve të tjera dhe kryesisht në merkato, ashtu edhe në komunikimin brenda klubit. Këtë e sillte sidomos ish-presidenti Uli Hënes. Karizmatik, enigmatik, tërheqës dhe plot ngjarje, ai mbante gjallë Mynihun me veprimet e tij. Me lirimin e tij nga burgu më 29 shkurt dhe rikthimin e pritshëm si president, Bajerni do të rikthehet në “ujërat e veta”. Padyshim do të jetë më i fortë. Nëse deri më sot ligjin e bënte Pep Guardiola duke shfrytëzuar “butësinë” e Karl-Hainc Rumeniges, sezonin e ardhshëm Hënes do të kontrollojë gjithçka.

Doktori – Pep Guardiola ka pasur pothuajse gjithnjë probleme me doktorin legjendar të Bajernit, dr. Myler-Volfhart. Ky i fundit aktualisht punon si pjesë e stafit mjekësor të klubit, por nuk është aktiv dhe as “dora e parë” e mjekimit, por vetëm konsulent. Me largimin e teknikut katalanas në verë, mediet gjermane kanë paralajmëruar se doktori i cili ka shëruar edhe njeriun më të shpejtë në botë, Usain Bolt, do të rikthehet në Mynih pothuajse me të drejtat e mëparshme.

Shkolla e vjetër – Me ardhjen e Karlo Ançelotit si trajner të Bajernit, në Mynih rrjedhimisht loja do të ndryshojë. Don Karloja njihet si teknik tradicional dhe i shkollës së vjetër. Nëse me Guardiolën Bajerni gjithnjë ka rreshtime të ndryshme, lojë fleksibël dhe sulm pa pikë referimi (bazuar te pasimet e shumta), me Ançelotin Bajerni do të rikthehet në “origjinë” me një lojë më të thjeshtë dhe tipike gjermane: shpejtësi, kundërsulm, fizik, pra ashtu si me Jup Hajnkesin, Luis van Galin apo edhe … Otmar Hicfeldin. Shkurt: një Bajern origjinal dhe jo ndjekës i Guardiolës.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.