Tre rikthime për Duron, Muarem mbetet në dyshim

Lojtarët e dëmtuar bashkohen sot në stërvitje me Flamurtarin. Sulmuesi Tunkara dhe portieri Nurkoviç mund të luajnë që me Kukësin, mesfushori do të monitorohet

Elton Nika

Portieri Adis Nurkoviç, mesfushori Muarem Muarem dhe sulmuesi Mamdu Tunkara do të jenë në stërvitje sot me skuadrën vlonjate. E ka konfirmuar këtë lajm trajneri i Flamurtarit, Shpëtim Duro, i nuk do të ketë të gatshëm brazilianin Zhufo, që u dëmtua ndaj Partizanit. Bëhet fjalë për të njëjtin dëmtim që kishte para rikthimit në fushë. Flamurtari rinis sot përgatitjet në fushë me një grup më të plotë dhe i fokusuar te ndeshja e radhës me Kukësin në kampionat.

Tunkara, Muarem dhe Nurkoviç kanë javë që mungojnë dhe më në fund do të jenë gati për t’u stërvitur me ekipin. Shqetësim mbetet vetëm forma e Muarem, pasi për lojtarin në fjalë mund të kërkohet ende kohë që të jetë gati për lojë. Për  Tunkarën dhe Nurkoviçin shpresohet shumë që të jenë me skuadrën që në ndeshjen me Kukësin. Gjendja e mesfushorit maqedonas do të shihet gjatë seancave stërvitore deri të mërkurën e ardhshme, kur do të luhet ndeshja me Kukësin në Vlorë.

Ndoshta me verilindorët Muarem mund të mos rrezikohet, me qëllimin që të jetë gati ndaj Skënderbeut në javën e parë të fazës së katërt të kampionatit. Gjithsesi, për të gjithë lojtarët që kthehen nga dëmtimet, do të ketë një monitorim të vazhdueshëm nga stafi mjekësor. Pozitiv është fakti që ka rikthime dhe grupi po mbushet gradualisht, nëse kemi parasysh mungesat e shumta që ka pasur trajneri Shpëtim Duro gjatë javëve të fundit, jo vetëm nga dëmtimet, por edhe nga pezullimet. Deri në ndeshjen e radhës pritet që gjendja të jetë më e mirë. Kthehet mbrojtësi Ditmar Bicaj në mbrojtje, por mungon mesfushori Zhufo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *