Tre minuta në fushë dhe asist, “ish”-i Skënderbeut tregon klasin në Bullgari

Transferimi nga Kievo te CSKA e Sofjes ishte një lëvizje e bujshme. Ali Soue vuajti në javët e para me skuadrën e mirënjohur bullgare, edhe për shkak të një dëmtimi që i krijoi mjaft probleme me ambientimin me realitetin e ri.

Kjo është arsyeja përse ish-sulmuesi i Skënderbeut dhe golashënuesi më i mirë i Kategorisë Superiore gjatë sezonit të kaluar ka luajtur pak me klubin nga kryeqyteti. Megjithatë, sa herë ka zbritur në fushë, Soue ka ditur të bëhet protagonist.

Kjo ndodhi edhe gjatë kësaj fundjave, ku sulmuesi nga Gambia u aktivizua në minutën e 61-të, në derbin ndaj Septemvri Sofjes, ndërsa CSKA-ja ishte në avantazh 1-0. Soue i mjaftuan vetëm tre minuta në fushën e lojës, për të dhënë asistin e golit të dytë me autor Rodrigues, që praktikisht mbylli ndeshjen.

Në kohën shtesë kishte kohë edhe për golin e tretë të CSKA-së së Sofjes me Manolev, me ekipin që vazhdon luftën me Levskin për kreun e klasifikimit. Nga ana e tij, Soue mund të jetë i kënaqur. Deri në momentin kur gjendja fizike do të jetë më e mira, sulmuesi ka koleksionuar një gol dhe një asist në 130 minuta aktivizim gjatë tre ndeshjeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *