Tre lojtarë në Kombëtare, te Barça nuk ndodhte prej 14 vitesh

Barcelona është padyshim një prej emrave më të mëdhenj të futbollit europian. Yje të nivelit botëror mbrojnë ngjyrat “blaugrana” dhe ku të gjithë janë pjesë e përfaqësueseve të vendeve të tyre. Megjithatë, në “Camp Nou” kanë arsye përse të jenë të kënaqur, pasi së fundmi është regjistruar një statistikë që mungonte për vite me radhë.

Pas publikimit të listës së përfaqësueses së Brazilit, ku të grumbulluar ishin edhe Kutinjo, Artur dhe Malkom, Barça ka tre lojtarë në radhët e “seleçaos”, për herë të parë pas 14 viteve. Hera e fundit që diçka e tillë ndodhi ishte më 8 shtator të vitit 2004, kur emrat e grumbulluar në atë periudhë ishin Ronaldinjo, Beleti dhe Edmilson.

Tre përfaqësues në Kombëtaren e Brazilit është edhe numri maksimal i lojtarëve të Barcelonës të grumbulluar në histori. Lojtarët aktualë të “blaugranave” do të jenë të angazhuar në ndeshjet ndaj Arabisë Saudite më 12 tetor dhe kundër Argjentinës më datë 16. Rikthimi i Marselos në skuadër dhe debutimi i mundshëm i Malkom ishin risitë e trajnerit Tite për grumbullimin e radhës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *