Tre gola në 9 minuta, Santosi ka gjetur dikë që ia kalon Nejmarit

Nuk e fiton Kupën e Botës prej 16 vitesh, por kjo nuk do të thotë që Brazili e ka humbur vendin e vet në fron për sa i përket prodhimit të talenteve që habitin botën me spektaklin dhe golat në fushë.

I fundit i Mohikanëve është Nejmar, shpresa e madhe e Brazilit që të ri gjejë lavdinë dhe të krenohet me një lojtar që po ecën në gjurmët e emrave si Ronaldo e Ronaldinjo.

Megjithatë, në Brazil thuajse çdo vit del ndonjë talent mjaft premtues, që më pak fat e shumë punë mund të bëhet një Nejmar i ri.

Santosi, kush tjetër, ka në dorë xhevahirin e radhës: quhet Rodrigo, në janar mbushi 17 vjeç dhe është një sulmues i vërtetë, nga ata që numrin 9 e kanë në gjak.

Debutim vjet, në moshën 16-vjeçare, shpërthimi sivjet, me 5 gola në vetëm 8 ndeshje kampionati, por mbi të gjitha me një lojë prej veterani. Fundjavën e shkuar Santosi fitoi në shtëpi 5-2 ndaj Vitorias dhe Rodrigo bëri një çmenduri: tre gola, në vetëm 9 minuta në pjesën e parë.

Sa për krahasim, Nejmari e shënoi tregolëshin e parë në moshën 18-vjeçare, pra që tani Rodrigo po tregon se po ecën një gjurmët e një emri të madh, madje duke ia kaluar.

Jo rastësisht, Reali i Madridit ka kohë që e kërkon, por edhe Barcelona është futur fuqishëm në garë dhe që tani e ka bërë ofertën e parë, prej 35 milionë eurosh.

Natyrisht, duhet kujdes e maturi, sepse me Rodrigon luan edhe një tjetër fenomen i parakohshëm, i cili në fitoren e fundit shënoi 1 gol e i dha një asist Rodrigos. Bëhet fjalë për Gabigol: e mbani mend, tifozë të Interit?

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *