Tre emra në merkaton e janarit, nxehet aksi Milan-Çelsi

Milani përgatitet të përballet me një muaj vendimtar dhe tepër delikat, në një situatë emergjence të plotë, me shumë lojtarë të dëmtuar dhe pa shërbimet e Gonzalo Higuain të pezulluar. Një moment që mund të vendosë shumë për sezonin e kuqezinjve në Serinë A dhe në Europa League, në pritje të merkatos së janarit.

Ndërsa Zlatan Ibrahimoviç vazhdon të japë sinjale nga Los Anxheles, përforcimet e reja të Milanit mund të vijnë nga Londra. Te Çelsi, “Djalli” ka blerë gjatë verës së kaluar Bakajokon, ndërsa në janar radhën mund t’a kenë ish-shokët e tij të ekipit: Sesk Fabregas dhe Andreas Kristensen. Në fund të vitit, dy klubet pritet të nisin negociatat për të ardhmen e ish-lojtarit të Monako, me diskutimet që mund ta zgjerohen edhe te dy futbollistët e tjerë.

Drejtuesit e Milanit i kanë nisur kontaktet e para me mesfushorin spanjoll, kontrata e të cilit përfundon në fund të këtij sezoni. Çelsi mund të pranojë ta shesë Fabregas me çmim të ulët, për të mos rrezikuar ta humbasë me parametër zero në muajin qershor. Ndërsa Kristensen, duket se do të jetë një ofertë e merkatos.

Trajneri Sarri nuk ka treguar besim të mjaftueshëm te mbrojtësi danez, i cili nuk ka luajtur asnjë minutë gjatë këtij sezoni në Premier Ligë. Huazimi në “San Siro” do të ishte një mundësi e mirë që futbollisti të ruante formën fizike. Fjalën e fundit do ta ketë trajneri italian i Çelsit dhe në rast se vendimi do të jetë pozitiv, Milani do të rikthehet në “Stemford Brixh” për të bërë “shopping”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *