Tramexani dëshiron Fejzullahin dhe Ramadanin te Lugano

0

Eraldo Harlicaj

“Boom-Boom” dhe duket se bomba e vërtetë e kësaj merkatoje te “demat” nuk është afrimi i Cetkoviçit, Bonifejsit, Sukajt apo edhe Ibraimit, por largimi i mundshëm i mbrojtësit Arbnor Fejzullahi dhe mesfushorit Ylber Ramadanit. Diçka e tillë mund të bijë si rrufe e hapur në klubin e kuq, por është krejtësisht e vërtetë, pasi burime të ndryshme pranë “Sport Ekspres” flasin për arritjen e një marrëveshjeje paraprake të dy futbollistëve të Partizanit Arbnor Fejzullahi dhe Ylber Ramadanit dhe klubit të Luganos. Të dy futbollistët kanë rënë në sy për paraqitjet e tyre të mira dhe tashmë edhe me ndërmjetësimin e kompanive menaxheriale mund të bëjnë mundur lëvizjen drejt kampionatit të Zvicrës. Akoma nuk mund të quhet si lëvizje e kryer, pasi tashmë mbetet të diskutohet edhe me klubin e kuq dhe nëse Partizani do t’i lërë të lirë lojtarët, apo nëse të dy klubet bien dakort për kërkesat e tyre.

Fejzullahi – Mbrojtësi i krahut të djathtë pëlqehet shumë nga trajneri i Luganos Paulo Tramexani. 23-vjeçari ka disa merkato që përflitet për largimin nga të kuqtë, por këtë herë duket se mund të jetë “e vërteta”, pasi sipas informacioneve pranë gazetës marrëveshja paraprake mes palëve është arritur. Madje, klubi i Luganos është dakort që të paguajë edhe klauzolën e kartonit të lojtarit që është 150 mijë euro e parashikuar në kontratën e re që ka nënshkruar me “demat”.  Gjithsesi, tashmë Fejzullahi duhet që të diskutojë edhe me klubin e kuq nëse do të bien dakort për kalimin e preshevarit të një tjetër klub. Gjithsesi, për të ka interesime edhe nga kampionati turk dhe ai polak, por asgjë konkrete siç është rasti i Luganos.

Ramadani – Mesfushori i ri po sheh pozicionin e tij te të kuqtë, pasi me afrimin e Cetkoviçit, Bathës, Trashit apo edhe Vilës vështirë se 20-vjeçari do0 të gjejë shumë hapësira në formacionin e Starovës. Mbipopullimi i mesfushës e ka shtyre Ramadanin të shohë mundësinë për të lëvizur në një tjetër klub e si për “magji” është e njëjta kompani menaxheriale, e cila mund të bëjë të mundur kalimin e Ramadanit në klubin zviceran që po përgatitet të rrëmbejë dy nga futbollistët e rëndësishëm të Partizanit.

Problemi – Lojtarët e kanë pothuajse të sigurt largimin, por problem mbetet nëse ekipi i Partizanit do të lejojë kalimin dhe  nëse bëhet diçka e tillë çfarë kushtesh do të vendosin zyrtarët e “demave”. Për Fejzullahin mund të jetë më e lehtë, pasi e ka të parashikuar klauzolën në kontratë dhe Lugano është gati të paguajë, ndërsa Ramadani e ka më të vështirë, pasi ka edhe dy vite në kontratë dhe vlera e kartonit të tij është e lartë. Pa harruar edhe një detaj tjetër të rëndësishëm… titullin!  Partizani kërkon titullin kampion dhe drejtuesit e kuq e kanë bërë të ditur se nuk duan që të humbasin lojtarët e rëndësishëm të tyre. Të presim dhe të shohim, pasi me kthimin e ekipit në Shqipëri do të diskutohet edhe më gjerë kjo temë…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.