Trajneri të Luftëtarit nuk i harrohet goli ndaj Kukësit: Të dorëzojnë bilbilin, hajde e gjeje pse nuk u quajt

Luftëtari ka bërë një ndeshje mjaft të mirë ditën e djeshme kundër Kukësit udhëqehës, që këtë vit synon titullin kampion në Superiore. Ndeshja përfundoi në barazim me porta të paprekura, por një gol i bluzinjve do të anullohej nga gjyqtari i takimit. Një gjë e tillë shkaktoi shumë polemika, sidomos në radhët e klubit të Luftëtarit, të cilët nuk ishin aspak dakort me vendimin.

Ndërkohë për këtë episod ka folur edhe trajneri i gjirokastritëve, Nikolin Çoçlli, që gjatë fjalës së tij kërkon të përcjellë edhe një mesazh për arbitrat. Kreu i pankinës së bluzinjve është shprehur se nëse gjyqtarët janë të paaftë duhet të dorëzojnë bilbilin, ndërsa ende nuk ka kuptuar arsyen se përse goli i skuadrës së tij u anullua.

“Nuk dua të flas për arbitrat, por dua t’ju them që kam një mesazh për ta. Arbitrat kanë misionin për të ndarë drejtësi. Nëse pastaj ata janë të paaftë, atëherë duhet të dorëzojnë bilbilin. Gjithsesi dënimi duhet të vijë nga njerëz më kompetent që shohin një padrejtësi kaq të madhe. Një gol i anulluar dhe se përse, hajde e gjeje. U penalizua një skuadër që dha zemrën dhe shpirtin në fushë”, ka thënë Nikolin Çoçlli./Sport Ekspres/