Trajneri Osmani: Urime Milanit, nuk ishim në nivelin e duhur

Qatip Osmani shkëmbeu fanellat e dy klubeve me përfaqësuesin e Milanit, ish-mbrojtësin e njohur Filipo Gali, ndërsa pas ndeshjes e pranoi qetësisht humbjen e thellë.

Trajneri i Shkëndijës evidentoi superioritetin e Milanit pas humbjes 6-0 në “San Siro”, teksa fillimisht uroi kuqezinjtë për fitoren dhe analizoi ndeshjen. “Së pari urime Milanit për fitoren. Sa i përket lojës, ne sot nuk ishim në nivelin e duhur. Patëm probleme në mbrojtje, që një ekip si Milani i shfrytëzon dhe të dënon. Ne do përgatitemi për lojën e kthimit dhe shpresojmë që të paraqitemi më mirë”, ishin fjalët e para në konferencën për shtyp të trajnerit Osmani, që më tej iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve të pranishëm.

-Profesor, çfarë nuk shkoi me Shkëndijën sonte?

Shumë gjëra nuk shkuan sonte, siç edhe thashë më parë. U orientuam të luanim në mbrojtje, por gjithçka shkoi keq. Milani ka shumë kualitete.

-A ishin të përgatitur lojtarët psikologjikisht, pasi dëshira ishte më e madhe se mundësitë?

Përveç gabimeve që i përmenda, edhe aspekti psikologjik e bëri të veten. Disa lojtarë të ekipit të Shkëndijës nuk kanë luajtur ndonjëherë në këto nivele, në stadiume të tilla, ndaj ka ndikuar.

-Çfarë mund të ndryshojë në Shkup?

Thashë se në Shkup do mundohemi për një rezultat pozitiv, për një lojë më të bukur. Kundërshtar kemi një ekip që ka bërë investime të madhe. Shkëndija do mundohet të bëjë më të mirën e mundshme.

-Do të ndryshoni diçka në mbrojtje në ndeshjen e kthimit? Teqja, a do jetë nga fillimi?

Sigurisht që pas kësaj ndeshjeje ne do të ndryshojmë. Në ditët në vijim do analizojmë ndeshjen, problemet që kemi pasur më së shumti, për të përcaktuar edhe ndryshimet.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *