Trajneri kërkoi kushte normale stërvitore, Lushnja sot drejt Ulqinit

0

Në këtë periudhë stërvitore të janarit, në Lushnje moti nuk ka favorizuar shumë skuadrën në përgatitjet e saj për pjesën e dytë të sezonit. Duke qenë se aneksi stërvitor është në një gjendje të rënduar dhe jashtë funksionit, njëherësh edhe për të mos e ngarkuar fushën në stadiumin “Roza Haxhiu”, Bashkia e Lushnjes ka menduar që këtë përgatitje skuadra ta kryejë në Ulqin.

Për SportEkspres.com trajneri Ilir Gjyla konfirmoi këtë “shtegtim” duke treguar edhe arsyen, ndërkohë që deklaroi se deri më sot në skuadrën që ai drejton nuk ka as largime, por edhe afrime të reja lojtarësh. “Nuk mundeshim të stërviteshim në terrenin aktual dhe falë ndihmës së Bashkisë së Lushnjes, nisemi sot ora 13:00 për në Ulqin, ku me një program dyjavor do të përqendrohemi në disa tregues stërvitorë, kryesisht në mbajtjen e formës më të mirë të lojtarëve për gjysmën e dytë të sezonit”.

Edhe pse nuk ka ndonjë konfirmim për largime apo afrime të reja në skuadër, Gjyla ka besim se grupi që mbylli gjysmën e parë të kampionatit do t’ia dalë për të arritur synimet e sezonit. Lushnja është e para skuadër e Kategorisë së Parë që do kryejë minifazën përgatitore dimërore jashtë Shqipërisë. Në 14 javët e luajtura, Lushnja ka grumbulluar 21 pikë dhe renditet në vendin e 5-të, 9 pikë larg Bylisit të vendit të parë në Grupin B.

AGRON KAJA

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.