Trajneri i Milanit thuajse në shkarkim, Gattuso dhe Ranieri shihen si pasardhës në vijën e parë

Milani nuk po arrin të gjejë formën e duhur as këtë sezon, ku ka zhgënjyer me rezultatet e marra. Vetëm 6 pikë në 5 javë janë shumë pak për këtë ekip. Trajneri Giampaolo nuk po arrin dot të marrë më të mirën nga grupi që ka, duke i lënë tifozët e kuqezinjve të pakënaqur.

Por pakënaqësia nuk gjendet vetëm te tifozeria por edhe te drejtuesit e klubit, të cilët mund të gjejnë një emër të ri për stolin e Milanit. Humbja në derbi ndaj Interit dhe ajo ndaj Torinos mbrëmjen e djeshme, i ka vënë në lëvizje drejtuesit e kampit kuqezi për të siguruar alternativa të tjera për zëvendësimin e Giampaolos.

Si mundësi shihet edhe një rikthim i Gattusos në pankinën e Milanit, megjithëse një përgjigje pozitive nga ana e tij duhet paksa e vështirë. Ndërkohë, emra të tjerë që qarkullojnë janë ato të Ranierit dhe Spalletit, ky i fundit që vazhdon të jetojë në Milano edhe pas largimit nga dretimi i zikaltërve të Interit. Ndërsa sa i përket Ranierit, italiani është një trajner shumë njohur dhe i suksesshëm që aktualisht nuk është duke drejtuar asnjë skuadër tjetër, çfarë e bën atë një kandidaturë serioze për postin e trajnerit të Milanit.

Megjithatë, gjithçka pritet të bëhet më e qartë pas ndeshjes së radhës ndaj Fiorentinës, rezultati i së cilës do të vendosë mbi fatin e mëtejshëm të Giampaolos në krye të ekipit./Sport Ekspres/