Trajneri i Irlandës së Veriut U21, Baraklou: Ne, të ngjashëm me shqiptarët!

Trajneri i Irlandës së Veriut U-21, Ian Baraklou, në konferencën për shtyp para ndeshjes me Shqipërinë, ka vlerësuar kundërshtarin dhe tregon se pret një ndeshje të ekuilibruar. Tekniku anglez tregohet i prerë kur e pyesin për rezultatin, duke treguar se në Tiranë kërkon vetëm fitoren.

“Pres një ndeshje të vështirë. Do të tentojmë që të shfrytëzojmë shanset tona. Ndeshja e parë ishte shumë e vështirë. Arritëm që të kalonim në avantazh me një penallti në minutat e fundit. Po ashtu dhe nesër nuk pres që ndonjëra nga skuadrat ta ketë të lehtë. Do të tentojmë që të bëjmë mirë.

Në Tiranë vijmë për të fituar. Unë jam trajner që kërkoj vetëm fitore. Ka shumë mënyra se si mund të fitohet një ndeshje. Pres vetëm 3 pikë.  Askush nuk e priste që ne të ishim në krye pas katër ndeshjes. E dimë se do të jetë e vështirë, por ne do të bëjmë më të mirë dhe të shohim se çfarë do të ndodhë.

Grupi duket i ekuilibruar, pasi skuadrat po mundin njëra-tjetrën. Spanja mendohej si shumë superiore, por nuk po ndodh kështu. Të gjitha skuadrat janë të forta.  Do të jetë ndeshje e barabartë, dy skuadra me potencial të njëjtë. Nuk do të ketë shumë gola ky takim, shpresoj që të fitojmë. 75% e lojtarëve të Irlandës së Veriut luajnë në Angli, ndërsa 25% luajnë në kampionatin vendas. Por, në Angli nuk luajnë në vendet e para, apo ekipet e para. Në Irlandën e Veriut luajnë në nivelin më të lartë. Është e ngjashme me Shqiptarët që luajnë në kampionatin grek ose italian”, përfundon trajneri Irlandës së Veriut, Baraklou.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *