Trajneri i Elbasanit largon frikën, Kotorri: Skuadra e aftë të mbijetojë

Skuadra e Elbasanit është pjesë e Kategorisë së Parë në Grupin B, dhe starti i saj në këtë sezon ka qenë i dobët. Për SportEkspres.com, trajneri Elvis Kotori këtë e quan një situatë që ka ardhur nga problematikat të cilat janë krijuar nga kompania angleze, si ish-pronare e skuadrës. Gjithsesi, ish numri një i portës verdheblu mbetet me shpresën e zgjidhjes së procesit gjyqësor, që skuadra të jetë më e lirshme nga të gjitha drejtimet për vazhdimësinë.

Elvis Kotorri është një nga portierët më të mëdhenj që Elbasani ka patur në historinë e tij, pjesë e gjithë shkollës së portierëve cilësorë në Elbasan. Si futbollist ai e ka nisur me Elbasanin në vitin 1996, ndërsa kulmin e karrierës e ka patur në tre sezone me Dinamon. Në karrierën e tij ai ka fituar tre tituj kampionë me dy skuadra, 1 me Elbasanin dhe 2 me Dinamon, ndërsa ka luajtur edhe me fanelën e Shkumbinit në Kategorinë Superiore.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

E kishit menduar bankinën e Elbasanit në këtë situatë të vështirë në Kategorinë e Parë?
-Si futbollist e nisa dhe e mbylla karrierën me Elbasanin, dhe më e bukur është që karrierën si trajner ta nis këtu. Momenti erdhi që në baniknë të ulem kur Elbasani ndodhet në situatë jo fort të mirë në renditje, por këtu kam ardhur që të ndryshojmë gjithçka te kjo skuadër.

Keni lënë fundin e renditjes në Grupin B, çfarë ka ndryshuar te Elbasani në tre ndeshjet e fundit?
-Besoj se ka ndryshuar shumë morali në skuadër, kryesisht pas ndeshjes që fituam me Orikun. Mendoj se pas kësaj fitoreje erdhi besimi te skuadra, sepse Elbasani ka një ekip me shumë futbollistë të rinj, të cilët kishin nevojë për më shumë besim në mundësitë e tyre.

Startin e këtij sezoni Elbasani e kishte shumë të dobët, ju si trajner i keni nxjerrë shkaqet?
-Natyrisht, dhe shkaku kryesor është se skuadra e Elbasanit u organizua me shumë vonesë për nisjen e sezonit. Arsyeja dihet, po vuajmë problematikat me kompaninë angleze që kishte presidencën dhe u përqendruam kryesisht tek elementë të rinj, që në Elbasan nuk mungojnë.

Në javën e 13-të fituat në transfertë me Apoloninë e cila shkarkoi trajnerin Miho, sportivisht ju si ndjeheni?
-Nuk ndjehem mirë që Apolonia ka shkarkuar trajnerin pas fitores sonë, por si trajner i Elbasanit nuk e fsheh të them se më vjen mirë që në Fier kemi arritur një fitore me shumë vlera, jo vetëm për tri pikët. Uroj që skuadra të ketë këtë vazhdimësi në ndeshjet e tjera.

Me këtë ecuri fitoresh, kanë ndryshuar objektivat e sezonit për Elbasanin?
-Objektivat e sezonit për ne ndoshta nuk kanë ndryshuar, dhe ende primar mbetet qëndrimi në Kategorinë e Parë. Por duke i parë ato ndeshje pas ndeshje, do të bëjmë maksimumin që rezultatet të jenë sa më pozitive. Mbijetesa në Kategorinë e Parë është në dorën tonë.

Të shtunën prisni në fushën tuaj Bylisin kryesues në Grupin B, e shikoni si një sfidë të vështirë?
-Realisht të gjitha ndeshjet janë të vështira, cilido që është kundërshtari. Natyrisht që me Bylisin kryesues vështirësitë janë edhe më të mëdha, kjo edhe për përbërjen që kjo skuadër ka aktualisht. Ne do bëjmë detyrën tonë në fushë, me synimin e vetëm për fitore.

Ndërprerja e Kampionatit, çfarë ju mundëson të ndryshoni në skuadër?
-Së pari ne shpresojmë të mbyllet sa më parë procesi gjyqësor që ka kompania angleze me ekipin e Elbasanit. Do të jetë një periudhë e ngarkuar me stërvitje dhe merkato, ndërsa ne do të jemi të përqendruar tek skuadra që aktualisht po mbyll gjysmën e parë të këtij sezoni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *