Trajneri i Dinamos: Duam të fitojmë për presidentin

0

Trajneri i Dinamos së Kievit, Aleksandër Haskeviç, ka folur para ndeshjes së sotme kundër Skënderbeut, duke u ndalur te mungesat në formacionin ukrainas, te Skënderbeu, por edhe te motivimi i veçantë i skuadrës së tij.

MUNGESAT – “Shumë lojtarë të rinj kanë ardhur me ne, por kjo nuk do të thotë që do të jenë në formacion. Do të luajnë ata lojtarë që luajnë zakonisht në kampionat e Europa League. Për ne, rezultati i ndeshjes ka rëndësi, ndërsa gjatë ndeshjes do të shohim nëse ndonjë lojtar i ri do të gjejë hapësirë për të na ndihmuar. Kampionati është gjithashtu prioriteti ynë, disa lojtarë janë të dëmtuar, ndërsa Mbokanin dhe Gonzalezin i ruajtëm për ndeshjen e fundjavës, pasi janë lojtarë kyçë dhe kanë luajtur shumë ndeshje, ndaj shpresoj të rikuperojnë energji për ndeshjen e ardhshme. Vida ka pësuar një dëmtim në stërvitje, nuk e dimë ende shkallën e dëmtimit. Gjithsesi, duam të përfundojmë misionin në Europë, para se të mendojmë për ndeshjen e fundjavës”.

MOTIVIMI – “Lojtarët tanë kanë për detyrë të luajnë për fitore në çdo ndeshje. Presidenti i klubit kishte ditëlindjen dje (ditën para ndeshjes) dhe duam t’i bëjmë dhuratë fitoren. Për lojtarët, ky është motivimi kryesor”.

SKËNDERBEU – “Stafi ynë i ka parë ndeshjet e fundit të Skënderbeut, ata luajnë me pasime të shkurtra, duke sulmuar në qendër. Nuk besoj se do ndryshojnë kundër nesh, pres të njëjtën ndeshje si në Kiev. Skënderbeu është i pari, me një distancë të madhe pikësh në kampionat, ndaj besoj se kanë një ekip me shumë alternativa cilësore, por në Europë tashmë kanë shumë pak shanse, edhe pse disa rrethana mund ta kualifikojnë”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image