Trajneri i Dinamo Zagreb e thotë hapur, Milani blen super talentin e Spanjës dhe rrit entuziazmin

Milani e ka rritur entuziazmin e tifozëve në këtë merkato të dimrit, krahasuar me fazën e mëparshme. Kjo pasi edhe ardhja e Zlatan Ibrahimoviç ka ndikuar shumë për të sjellë optimizmin në kampin e kuqezinjëve.

Drejtuesit e skuadrës janë shumë pranë blerjes edhe të super talentit të Spanjës, Dani Olmo, që luan te Dinamo e Zagrebit. Transferimi i këtij të fundit do të kushtojë rreth 20 milionë euro, ndërsa shifra do të arrijë në 30 milionë euro së bashku me bonuset. Olmo do të firmos një kontratë 5-vjeçare, ndërsa shquhet për driblimet dhe saktësi në gjuajtje. Trajneri Nena Djelica është shprehur se nuk do ta aktivizojë këtë futbollist në miqësoret që po zhvillohen derisa të zgjidhet çështja përfundimisht:

“Të gjithë e dimë se transferimi i tij po diskutohet. Ne nuk e dimë akoma kur dhe ku do të ndodhë. Sidoqoftë, ne nuk duam të rrezikojmë që ai të dëmtojë veten për momentin. Do të ishte e paarsyeshme nga ana jonë nëse e vendosim atë në një lojë miqësore. Në çdo rast, mund t’ju siguroj se Olmo është me humor të mirë dhe punon shumë në trajnime”, tha trajneri i Dinamos së Zagrebit. /Sport Ekspres/