Trajneri i Besëlidhjes sfidon Vllazninë, Gjoni: Jemi edhe ne për Superiore

0

Të shtunën në mesditë, skuadra e Besëlidhjes i morri barazimin Vllaznisë në stadiumin “Loro Boriçi”, i dyti ky për skuadrën shkodrane në 13 javët e luajtura në Kategorinë e Parë. Këtë pikë në Shkodër, trajneri i Besëlidhjes, Vladimir Gjoni e quan të merituar, dhe për SportEkspres.com ai deklaron se skuadra e drejtuar prej tij synon Superioren.

Në karrierën e tij si futbollist, Gjoni e ka nisur me Burrelin, ndërkohë që në elitë ka luajtur edhe me Shkumbinin, Luftëtarin, Lushnjen e Flamurtarin. Ndërsa pas vitit 2010 ai ka qenë në stolin e disa skuadrave në Kategorinë e Parë, si Burreli, Luftëtari, Egnatia e këtë sezon te Besëlidhja. Në tre ndeshjet në bankinën lezhjane skuadra ka arritur të marrë 4 pikë.

INTERVISTOI: AGRON KAJA

E kishit menduar barazimin në sfidën e javës së 13-të me Vllazninë në “Loro Boriçi”?
-Çdo trajner e motivon skuadrën që në të gjitha ndeshjet të arrijë fitoren, pavarësisht nga kundërshtari që do të ndeshet. Objektivi ynë ishte që nga “Loro Boriçi” ne të mos dilnim pa pikë, dhe ja arritëm, duke hyrë tashmë në pesëshen e skuadrave pretendente në kreun e renditjes.

Mos është objektiv i avancuar Superiorja, apo ju keni një bazë ku e mbështetni?
-Ngjitja në Kategorinë Superiore nuk duket e pamundur për Besëlidhjen. Sepse kemi edhe 5 ndeshje të fazës së dytë me 15 pikë brenda tyre, por do të kemi edhe fazën e tretë e cila nis me përgjysmimin e pikëve për çdo skuadër, që i përafron ato në tabelën e renditjes.

Në tre ndeshje që e drejtoni Besëlidhjen janë grumbulluar 4 pikë, ju çfarë keni ndryshuar te skuadra?
-Mendoj se ka ndryshuar mentaliteti në mënyrën e lojës, pasi Beslidhja ka lojtarë cilësorë të cilët japin garanci për më shumë, por vendosja e tyre në fushë në ndeshjet e mëparshme nuk ishte ajo e duhura. Në këto ndeshje kemi përshtatur vlerat e lojtarëve me pozicionet në fushë.

Për gjysmën tjetër të sezonit, mendoni se Beswlidhja ka nevojë për merkato?
-Natyrisht që po, dhe me drejtuesit e klubit kemi rënë dakord që gjatë muajit janar të afrojmë futbollistë cilësorë, kryesisht për sulmin. Sepse Besëlidhja sot ka mangësi në forcën goditëse, ndërsa pjesa tjetër duket e kompletuar.

Duke qenë për disa sezone Pjesë e Kategorisë së Parë, çfarë mendoni se duhet të ndryshojë në gjysmën e dytë të këtij sezoni?
-Nëse është e mundur, në radhë të parë terrenet sportive, e kryesisht në disa fusha që gjatë muajit dhjetor janë kthyer në moçale. Licencimi i tyre do kujdes, ndërkohë që në këto 13 ndeshje të luajtura ka patur mangësi edhe me gjykimin, tregues emergjent ky për tu përmirësuar.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.