Trajnerët e Superiores ta shohin, humbi 0-9 në “Premier League” dhe çfarë deklarate e humbësit

Gjithmonë për të sprovuar njerëzit mjaftojnë momentet e këqija, për të parë edhe reagimin e tyre. Ky mund të ishte fillimi i vetëm i duhur për të treguar atë që ndodhi në “Premier League” në mbrëmjen e djeshme.

Leiçesteri shkroi rekordin në “Premier League”, pasi arriti të fitonte me rezultatin 0-9 në transfertë ndaj Sauthamptonit. Këta të fundit po luanin me një lojtar më pak pas ndëshkimit me të kuq të Bertrand në minutën e 12 dhe atje nisi turpërimi i madh.

Ajo ku ne duhet të ndalemi është padyshim tek deklarata e trajnerit të Southamptonit, Ralph Hasenhuttl. Nëse jeni mësuar që pas një turpërimi faji t’i hidhet gjithmonë skuadrës, kjo nuk ndodhë në këtë rast.

Hasenhuttl jo vetëm që ka pësuar humbjen më turpëruese të karrierës, por një ndeshje që do i rëndoi gjatë mbi shpatulla dhe do e shënojë vazhdimësinë e tij. Por sërish trajneri zgjedh të shprehet: “I kërkoj falje të gjithëve për këtë nivel. Unë mbaj përgjegjësitë 100% për atë që ndodhi sot. Dua t’i them tifozëve që unë jam krenar për ju. Keni qendruar në stadium deri në fund. Nuk ishte e lehtë për askënd që të na ndiqte ne dhe nuk ishte e lehtë që të ishe një tifoz i Southamptonit. Ata e bënë shumë mirë deri në fund duke na qendruar pranë.

Më duhet të kërkoj falje për atë që ndodhi sot. Kur morrëm kartonin e kuq ishim 0-1? Nuk duhet t’i hyjmë detajeve tani…pas çdo aksioni kur ishim me 10 lojtarë ata ishin pranë golit. Ju mund ta quani si të doni, mund ta quani që hoqëm dorë, që na iku dëshira apo çfarëdo etiketimi tjetër pasi rezultati është përfekt për t’ua justifikuar. Ishte katastrofë”.

Edhe në një rast të tillë, ka shumë shembull për t’u marrë edhe nga trajnerët e Superiores, megjithëse mund të duket e çuditshme. Pavarësisht një humbje 0-9 dhe në elitën e futbollit europian, në “Premier League”, trajneri humbës nuk e braktis konferencën dhe të dalë nga dalja emergjente e stadiumit.

Për të vazhduar më tej, ka edhe dinjitet në fjalët e tij, sadopak i mbetur pas asaj humbje. Për gjithëkënd që mund të pyes se çfarë duhej të shprehej ndryshe trajneri? Në pjesën më të madhe të rasteve do të kishim një lënie të topit te lojtarët, duke e quajtur njëfarë “tradhëtie” të tyre dhe mos dëshirë për të lëvizur nga vendi dhe për të pësuar shumë gola, duke evituar në këtë mënyrë përgjegjësinë e madhe te vetja. Por jo, sërish trajneri është aty për të marrë përgjegjësinë mbi shpatullat e tij dhe për t’ua lehtësuar sadopak lojtarëve. /Sport Ekspres/