Trajnerët e Superiores, notat/ Daja është “ujk i vjetër”, Duro i lexon më mirë situatat

0

Teksa janë mbyllur tre ndeshjet e para të Superiores, “Sport Ekspres” sjellë edhe vlerësimet sa i përket trajnerëve në kampionatin shqiptar. Më poshtë do të shihni 4 trajnerët që kanë rezultuar edhe më të mirët deri tani:

Ardian Mema (8): “Nëse do të bëjmë një ndarje të dorës së trajnerit dhe lojtarëve që gjenden aktualisht te Tirana, nuk mund të thuhet saktësisht se ku anon peshorja më e madhe e meritës për të mbërritur në këtë pozicion. Bardheblutë janë në vendin e parë, ndërsa kanë lënë vetëm 2 pikë në tre ndeshjet e para. Mema rezulton si trajneri më i mirë deri tani për vetëm dy arsye kryesore: “Fitorja e arritur në Shkodër që dukej si e pamundur dhe mbyllja e portës me “kyç”. Pikërisht janë këto faktorët që e veçojnë Memën nga të tjerët. Tirana është e vetmja skuadër që nuk ka pasur asnjë gol në këtë sezon të ri, duke merituar vlerësimet e tifozëve.”

Shpëtim Duro (7): “Nëse Ardian Mema është trajneri më i mirë, Shpëtim Duro është trajneri që i lexon situatat më mirë deri tani. Tekniku i Kukësit ka treguar në këto ndeshje të para se gjithmonë di të reflektojë edhe nga gabimet që bën vetë, por brenda kohës së duhur. Pasi humbet ndaj Partizanit me Brown që zbret nga qielli, i mund “të kuqtë” në ndeshjen pasardhëse. Pra i njëjti gabim, nuk përsëritet dy herë. Në përballjen ndaj Flamurtarit nuk i lë asnjë shpresë kundërshtarit në fitoren 0-3, por pa rrezikuar shumë dhe pa provuar aventurën. Fillimisht një gol me Shkurtajn në pjesën e parë, për të “vrarë” ndeshjen në minutat e mbetura. Lëvizje dhe reagime të duhura edhe ndaj Laçit, pas asaj pjesë të parë që humbi e gjitha në shkëlqimin e fortë të diellit. Naubueze do të shënonte një gol me nisjen e së dytës ku vendosja e lojtarëve nuk kishte ndonjë gabim trashanik. Pavarësisht se të dy mbrojtësit u futën në të njëjtën kohë, Naubueze lëshoi një predhë nga distanca që mund të fajësojë vetëm portierin, Avdylin. Reagimi është i duhuri për të mos dalë pa pikë, megjithëse meritohej më shumë.”

Ilir Daja (6.5): ‘Ilir Daja? Ujk i vjetër! Për të marrë më shumë në notë, duhej të mos kishte përfunduar në atë pikë ndaj Bylisit. Por shumë ndeshje të zhvilluara në pak kohë, do të reflektonin diku për një skuadër që kishte vetëm pak ditë grumbullimi. Ishte fati i Bylisit që e gjeti momentin më të përshtatshëm, për të fituar 3-0. Por kjo nuk fshin punën e madhe të Dajës. Një gol nga Gripshi ndaj Flamurtarit në sekondat e fundit, për t’i dhuruar tre pikët e para. Një kthesë e papritur ndaj Laçit në transfertë, ndërsa vendasit kryesonin 1-0. Madje edhe me gola që vinin nga skema të pastra. Çfarë mund të thuhet më tepër? Thjeshtë, Daja është një “ujk” i vjetër.

Franko Lerda (6)- “Nuk mund të “kryqëzohet”, por as të vlerësohet. Trajneri italian ka fituar 2 ndeshje dhe ka humbur 1 deri tani. Madje edhe tek e humbura, “borxhin” tifozëve ia shlyhen pasi fitoi Superkupën ndaj të njëjtit kundërshtar, Kukësit. Por padyshim që tifozët e Partizanit kërkojnë edhe lojë nga ekipi i tyre, duke qenë se kampion janë shpallur edhe vjet me Skënder Gegën. Këtë herë nuk ka një ultimatum që lidhet vetëm me dëshirën për t’u shpallur kampion, pa asnjë kusht tjetër, kërkohet edhe loja bindëse. Për momentin e gjitha ajo që mund të ofroj Lerda është: “Një gol më shumë se kundërshtari, asgjë më tepër, madje saktësisht 1-0, siç i ka edhe dy fitoret deri tani”. /Sport Ekspres/

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.