Trajnerët e (pa) sjellshëm

0

Opinion nga Gjergji Stefa

I pari që hapi lojën ishte Starova. Në momentin që nga studio buzëqeshjet ishin të ekzagjeruara në raport me lojën, që vetëm në fund të vinte të vije buzën në gaz, trajneri i Partizanit shpërtheu në akuza për rregullsinë e garës, mbi të gjitha në lidhje me rivalin e viteve të fundit, Skënderbeun! Sula me ndërgjegje “trashi zërin”, por, nëse e njeh jashtë këtij minutazhi, kupton që ka diçka që nuk shkon. Jo vetëm që e ka gjithnjë buzën në gaz, por është më liberal se rregulloret strikte të futbollit. Me siguri presioni i madh i muajit të fundit, merkato e bërë ashtu si donte, stadiumi i rikthyer, humbja në Gjirokastër dhe përgjegjësia e rezultatit mund ta ketë orientuar emocionin e tij drejt studios si një pikë shkarkimi. Thonë që, nëse nuk do fitonte, do jepte dorëheqjen, edhe kjo e ekzagjeruar, në kushtet, kur në unison thuhet se Partizani ka një ecuri të mirë. Në përgjithësi i sjellshëm!

Disa orë më parë, trajneri Ernest Gjoka gjithashtu nuk i kish mbajtur emocionet. Kukësi i tij i ka thyer të gjitha rekordet, ka fituar Superkupën, në 20 ndeshje ka 11 fitore dhe 9 barazime, është në vend të parë, i shkëputur me 4 pikë dhe në Kukës ka një fortesë të vërtetë, 9 fitore, 1 barazim dhe 1 gol i pësuar. Për më tepër sapo kish fituar sërish. Çfarë mund ta bëjë një trajner të pasjellshëm në këto kushte? Thonë presioni, skuadra nuk bën një lojë brilante, por, nëse sheh Partizanin e sidomos Skënderbeun, mund dhe duhet të ngushëllohet. Thonë që në humbjen e parë presidenti mund të shpërthejë mbi të, por derisa kjo të vijë, duhet ta shijojë. Lidhjen “live” me studion e njeh më mirë se kushdo, sepse ka qenë aty në vend të Bulkut dhe Pinarit për më shumë se 2 vite. Në shumicën e kohës është shumë i sjellshëm.

24 orë më pas trajneri i Korabit, Gerdi Haxhiu, e konsideroi gjyqtarin e ndeshjes një “bastard”, një fjalë që gjithsesi ta vret veshin, pavarësisht se në thelb kish të drejtë për kontestimin, sepse penalltia që fitoi Skënderbeu ishte si ato të vitit të parë të ciklit bardhekuq. Megjithatë, “bastard” nuk është fort e denjë, aq sa Halilaj në studio, pavarësisht se me siguri e ka vënë në titull në faqe të parë të gazetës së tij, nxitoi t’i kujtonte se emisionin e shohin edhe fëmijë. Haxhiu është gjithnjë i sjellshëm, kushedi ç’ka ndodhur këtë radhë?!

Daja disa minuta më pas ra në grackën e mikut të tij, gazetarit Ylli Aga. Ky i fundit e provokoi, duke i kujtuar deklaratën e Starovës dhe Daja, me mirësjellje, i kujtoi homologut të kuq se në dy fazat e para ka ndryshuar madje kalendarin sipas dëshirës.

Të gjithë këta trajnerë janë profesionistë, të përkushtuar dhe pa asnjë diskutim të sjellshëm, të devotshëm dhe korrektë. Megjithatë, në këtë duel, ku tre klubet kryesore po bëjnë gjithçka për të fituar titullin, nervat ndoshta nuk menaxhohen. Ose ndoshta as Gjoka, as Starova e as Daja improvizuan një sjellje të pakëndshme për të justifikuar dhe për të mos iu  përgjigjur në mënyrë direkte një pyetjeje: përse ekipet e tyre luajtën kaq keq, megjithëse fituan në javën e 20-të?!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here