Totenhemi leksion Realit, Dele Ali dhuron “show”

0

 

Anglezët shkatërrojnë kampionët e Evropës dhe marrin kreun e grupit H. Mesfushori shkëlqen duke shënuar dopietë. CR7, vetëm “golin e nderit”

Totenhemi meriton shumë në Champions League! Skuadra e Mauricio Poçetinos dje turpëroi në çdo aspekt kampionët e Evropës, Real Madridin, duke fituar 3-1 në ndeshjen e vlefshme për Ligën e Kampionëve. Anglezët shlyen mjaft gabime që kishin bërë në ndeshjen e mbyllur 1-1 në Madrid dhe treguan se janë kockë e fortë edhe në Evropë.

Ndeshja

Për Totenhemin gjithçka shkoi mirë që nga minuta e parë. “Spurs”-at i bënë presing skuadrës madrilene që në gjysmëfushën e kësaj të fundit. Dele Ali shënoi dy golat e parë të takimit, duke mahnitur, me siguri, presidentin e “Los Blancos”-ve, Florentino Perez. Në të 27’ ai mori një pasim të përkryer nga Tripier nga krahu i djathtë dhe e pati të lehtë të gjente rrugën e rrjetës. Goli i dytë erdhi në të 56’, kur Ali u soll si një “bomber” i vërtetë. Lojtarët miq ishin të çoroditur dhe lanë shumë hapësirë për mesfushorin anglez, i cili gjuajti saktë në hyrje të zonës. Jo më kot e do Barcelona, apo jo? Me kalimin e minutave, Totenhemi shtoi ritmin e lojës, edhe duke qenë në avantazh, derisa gjeti edhe golin e tretë, të shënuar nga një tjetër mesfushor. Meqë Real Madridi dukej thuajse në gjumë dhe pa ide, Eriksen mori një pasim fantastik nga Kejn në kundërsulm në të 65’ dhe shënoi golin e sigurisë. Kristiano Ronaldo nuk u besonte syve. Ai donte një goleadë në Londër, por nuk ia arriti. Portugezi u mjaftua me golin e nderit në të 80’, kur provoi nga rreth pesë metra largësi nga porta. Me këtë ndeshje spektakolare dhe rezultat bindës, Totenhemi kryeson me 10 pikë pas katër ndeshjesh në grupin H, ndjekur nga “Los Blancos” me tri më pak.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image