Tomori provon lojtarët, sa shumë ndryshime nga sezoni i shkuar!

Edi Spahiu

Pasditen e së enjtes Tomori është parë me shumë ndryshime në seancën stërvitore. Tekniku Gersi Arbri ka zhvilluar për të parën herë një ndeshje kontrolli brenda familjes, ku ka rënë në sy aktivizimi i disa futbollistëve të sapoardhur, siç kanë qenë portieri Kadri Birja dhe mesfushori i njohur kuçovar Ardian Gega.

Po gjatë këtij takimi kontrolli, janë vëzhguar nga ana e stafit teknik edhe disa futbollistë të tjerë të rinj në provë, por stafi teknik i ka mbajtur të rezervuara opinionet për ta.

Po gjatë së enjtes pasdite, ka rënë gjithashtu në sy se për të parën herë stafi teknik ka thirrur në Berat edhe futbollistët titullarë beratas dhe ata jabanxhinj nga sezoni i kaluar, ku enkas për këtë grup futbollistësh stafi teknik ka zhvilluar një stërvitje të veçantë anës fushës, dhe kryesisht vrapime dhe ushtrime aerobie.

Nga grupi i futbollistëve jabanxhinj të sezonit kaluar ka rënë në sy mungesa e dy portierëve nga sezoni kaluar si Haxho dhe Kaloshi, e sulmuesit Mitraj dhe dyshes së njohur kuçovare e përbërë nga qendërmbrojtësi Daci dhe mesfushorit Kopaçe, ndërsa Gjonaj, Mersini e Koleci ishin prezentë dhe kjo tregon se ata do të jenë sërish pjesë e Tomorit në kampionatin e ardhshëm. Për Sport Ekspres nga ana e stafit teknik beratas, është konfirmuar fakti se testimet e futbollistëve të rinj vendas dhe atyre jabanxhinj, do të jetë një proces në vazhdim gjatë gjithë periudhës së fazës përgatitore, dhe se pas ndeshjes së parë të kontrollit do të ketë të tjera në ditët në vazhdim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *