Tomori pa fushë, deri në tetor luan jashtë!

0

Seanca stërvitore e ditës së premte pasdite për skuadrën e Tomorit është zhvilluar në fushën e ish-stadiumit të vjetër, një zgjidhje kjo krejt e detyruar për teknikun Dule dhe futbollistët e tij. Javën e ardhshme, skuadra beratase do të zbresë dy herë radhazi në fushë për të luajtur me Bylisin në Kupë dhe ndeshjen e parë të kampionatit sipas kalendarit. Të bën përshtypje, se askush nga faktorët përgjegjës nuk interesohet për fatin e skuadrës kur bëhet fjala për kushtet mjerane të stërvitjes. Mirëpo, kjo është njëra anë, pasi për Tomorin po vijnë ditë të errëta në kampionatin e ri përsa i përket fushës ku do të zhvillojnë ndeshjet zyrtare.

SKANDALI – Më konkretisht ka ndodhur ajo për të cilën “Sport Ekspres” ka paralajmëruar gjatë gjithë periudhës së verës, se tapeti i ri rrezikonte të digjte të gjitha afet kohore dhe skuadra të luante në sezonin e ri në Kuçovë. Gjithçka që është shkruar në faqet e gazetës është bazuar tek mungesa e interesimit të vakët të klubit dhe Bashkisë Berat, që u përfshinë në fushatën elektorale të 25 Qershorit. Po për shkak të fushatës punuan me aksion gjithë muajin Maj dhe premtonin pambarimisht për afate që shkelnin njëri-tjetrin. Por, nuk munguan as tentativat për të përgënjeshtruar “Sport Ekspres” që denonconte pikërisht indiferencën, por edhe premtimet boshe të klubit dhe Bashkisë. Ku zyrtar të kësaj të fundit, që nuk kishin lidhje aspak me Tomorin, shkonin deri aty sa paragjykonin çdo shqetësim që trajtohej me të drejtë në faqet e gazetës nga specialist dhe sportdashës të ndryshëm.

LAJMERIMI – Përfundimisht, dje në një nga faqet e ashtuquajtura të klubit të futbollit, që në të vërtetë nuk është e tillë, klubi dhe Bashkia japin lajmin e “kobshëm” për skuadrën dhe tifozerinë beratase, se tapeti do të shtrohet në muajin Tetor?! Kjo ka irrituar me të drejtë opinionin futbolldashës beratas, dhe të gjithë luten që zhvillimi i ndeshjeve në transfertë të mos ketë efekt negativ në motivimin dhe rezultatet e skuadrës. Por, ajo që të bën jo pak përshtypje është fakti se bëhet i ditur itinerari i ardhjes së tapetit të ri që duhet të kaloj nga Italia në Turqi! Kaq mjafton që të kuptohet lehtësisht, nga i madh e i vogël mungesa e seriozitetit nga krerët e klubit dhe faktorë të tjerë!

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image