Tomori mundohet të harrojë Besën, Devolli sheh nga kupa

Dy barazime në shtëpi, të cilat përkthehen ndryshe edhe si katër pikë të lëna, me të drejtë që kanë pezmatuar jashtëzakonisht sportdashësit beratas, të cilët nuk e fshehin aspak zhgënjimin pas barazimit me Besën. Një barazim ai i fundjavës që tregon se tek Tomori ka ende shumë punë për të bërë dhe se aktualisht skuadra është larg të qenit një skuadër cilësore dhe me pretendime serioze për të bërë diferencën ndaj skuadrave rivale.

Për momentin ajo që ngroh sportdashësit vendas është padyshim puna mjaft e mirë në aspektin profesional që po zhvillon tekniku Bledar Devolli, i cili po punon me shumë përkushtim dhe seriozitet maksimal, për të ingranuar futbollistët e ardhur rishtazi tek Tomori dhe t’i motivojë ata për të ardhmen.

Ndeshja e kupës në mesjavë ndaj Bylisit, do të jetë një rast shumë i mirë për të treguar se skuadra di të reagojë pas barazimit me Besën dhe është duke u konsideruar si një test shumë i mirë për skuadrën përpara sfidës me Orikun në kampionat këtë fundjavë në shtëpi.

Për teknikun Devolli ndeshja e së mërkurës në Ballsh do të jetë edhe një sfidë shumë interesante ndaj ish-skuadrës që ka drejtuar sezonin e kaluar, dhe fitorja 2-1 në ndeshjen e parë në Berat e bën akoma më interesante ndeshjen e kthimit në Ballsh.

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *