Tomori javën e ardhshme në fushë, por “gjysmagjel”

Në Berat, çdo lloj informacioni në lidhje me skuadrën e futbollit, pothuajse është i mbyllur hermetikisht nga ana e klubit dhe drejtuesve të sportit në Bashki. Siç është bërë e njohur, skuadra beratase ka pësuar “firo” gjatë kësaj vere, dhe pas largimit të detyruar të futbollistëve “jabanxhinj” që përfunduan edhe kontratat në fund të sezonit kaluar, duket se largimet kanë prekur edhe futbollistët beratas. Deri më tani janë plot tre titullar që mbyllën kampionatin e kaluar, por që për “peshën” që mbanin në skuadër, janë konsideruar si largime të rëndësishme. Duke u ndalur tek sezoni i ri futbollistik, ajo që për momentin mund dhe meriton të quhet lajm, është edhe një zhvillim i ri përsa i përket afatit të vendosur për startin e përgatitjeve në funksion të kampionatit të ardhshëm.

PËRGATITJET – Çka mund të cilësohet ndryshe edhe si një zhvillim i ri në kampin e Tomorit, që së fundi ka projektuar edhe lëvizjen e parë zyrtare të periudhës së kësaj vere, teksa është mësuar se skuadra javën e ardhshme dhe më konkretisht më 2 Korrik do të startoj fillimin e stërvitjes së parë për sezonin futbollistik 2018-2019. Pritet me interes nga ana e sportdashësve beratas, nëse skuadra do të zbresë në fushë apo do të ketë shtyrje. Deri në këtë pikë, ajo që vlerësohet me nota pozitive, është fakti se më në fund klubi ka nisur të lëviz dhe për këtë arsye është njoftuar edhe starti i stërvitjes, që me siguri fillimisht do të zhvillohet në ambientet e stadiumit “Tomori”, për të lëvizur më pas në një qytet bregdetar. Por, sipas asaj që parapëlqejnë drejtuesit do të vlerësohet si një mundësi që faza të zhvillohet në Pogradec, aty ku dhe janë të gjitha kushtet që faza përgatitore të alternohet me ndeshjet e shumta miqësore si në qytetin liqenor me skuadrën vendase, ashtu edhe me skuadrat e ndryshme që kryejnë fazën në Pogradec dhe pse jo dhe skuadrat përreth qarkut të Korçës dhe Elbasanit. Tashmë sinjali i parë ka ardhur, dhe të gjithë presin me shumë interes se sa dhe si do të investohet tek Tomori për sezonin e ri futbollistik.  

Edi Spahiu

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *