Todi Janku, “Mbreti” i boksit shqiptar mbush sot 85 vjeç

0

 

Florian Behlula

 

“Mbreti” i boksit shqiptar, Theodor Vasil Janku, i njohur në mjediset sportive, por edhe në jetën e përditshme si Todi Janku, mbush sot 85-vjeç. Janku ka patur ndoshta karrierën më të suksesshme që mund te ketë një boksier, ku në 12 vite ka qenë absolut. Nga viti 1952 deri në vitin 1963, i pamposhturi i ringut zhvilloi 82 ndeshje, 6 prej tyre ndërkombëtare. Si rrallë boksier, Todi Janku nuk pësoi asnjë humbje, ku 80 ndeshje i fitoi me nokaut, ndërsa 2 me pikë. Rezultatet e tij janë unikale jo vetëm në boksin shqiptar, por edhe në atë botëror, duke u renditur mes legjendave si Roki Marçiano, Karlos Manzon, Xhoe Luiz, Mervin Hagler apo Bob Foster. Ndoshta sukseset e tij mund të ishin edhe më të shumta, nëse në fillimin e vitit 1964 me vendim të shtetit shqiptar sporti i boksit doli jashtë ligjit, duke i prerë në mes karrierën Jankut apo boksierëve të asaj kohe.

Karriera – Ka lindur në Tiranë më 8 janar 1930 dhe jeton po në kryeqytet, pranë 21 Dhjetorit. Që në moshë të vogël, 12-vjeçare, filloi zanatin e marangozit, të cilin e vazhdon edhe sot, madje ashtu si në boks, mban titullin “Mjeshtër”. Karrierën në boks e filloi në moshën 22-vjeçare, në vitin 1952, duke e vazhduar deri më 1963. Në vitin 1956, në shkëlqimin e tij në ringun shqiptar, Todi mori titullin “Mjeshtër Sporti”. Janku përveçse boksier i skuadrës së Tiranës (17 Nëntori i asaj kohe), ka qenë dhe kapiten i saj dhe ka mbajtur shiritin edhe te Kombëtarja shqiptare. 12 vjet radhazi “Mbreti” u shpall kampion i Shqipërisë dhe po gjatë këtyre 12 viteve ka qenë fitues i Kupës së Republikës. Ndërkaq, Janku është shpallur dhe 3 herë fitues i anketës “10 sportistët më të mirë”, në vitet 1959, 1960 dhe 1961, por edhe fitues i superanketës “10 sportistët më të mirë të shekullit”.

Titujt – Todi Janku ka marrë një sërë titujsh dhe jo vetëm në kohën kur ishte sportist, por gjatë gjithë jetës së tij. Pasi mori më 1956-ën titullin “Mjeshtër sporti”, pasi kishte mbyllur karrierën, në vitin 1971 u dekorua me një titull më të lartë, “Mjeshtër i merituar i sportit”. Në vitin 1995 ai u dekorua me urdhrin “Naim Frashëri”, ndërsa në vitin 1999 nga Ministria e Arsimit dhe e Sporteve iu dha titulli “Nder i sportit shqiptar”. Si një banor i lindur, i rritur dhe banues në kryeqytet, nga Bashkia e Tiranës më 21 prill 2000 iu dha titulli “Mirënjohje e qytetit të Tiranës”. Nuk kanë të sosur titujt për boksierin që ngrinte peshë tifozët në ringun e viteve ’50-60, teksa në kuadrin e Olimpiadës Botërore “Athina 2004”, Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar e vlerësoi Jankun me “Urdhërin Olimpik” (10.04.2004). Nuk kishin si të mungonin titujt nga Federata Shqiptare e Boksit dhe nga klubi i Tiranës. Në qershor të vitit 2012 ai mori titullin “Mirënjohje e Federatës Shqiptare të Boksit” nga FSHB-ja,  me rastin e 100 vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë, ndërsa nga klubi bardheblu u nderua me titullin “Mirënjohje”. Ndërkaq, me vendim të Këshillit të Ministrave, Todi Jankut i akordohet “Pension i posaçëm”.

Vlerësimet – Sukseset e arritura në karrierë nuk mund të mos zinin vend në media apo nëpër libra të botuar enkas për legjendën e boksit shqiptar. Figura e Todi Jankut është vlerësuar nëpër shkrime të ndryshme, ku mund të përmendet “Kalendari Enciklopedik” (1998) me autorë Aristidh Plaka e Ibrahim Xhama, “Fjalori Enciklopedik” i botuar nga Akademia e Shkencave të Shqipërisë në vitin 2002, apo në librat “Visaret e sportit shqiptar”, “Më të mëdhenjtë e sportit shqiptar”, “Homazhe dhe mesazhe për Artistë e Sportistë” dhe “Historia e boksit shqiptar”.

Epitetet dhe krahasimet – Një sportist si Todi Janku, i cili duhet thënë se ka provuar të luajë edhe futboll (mesfushor i majtë me Labinotin e Elbasanit pas sulmuesit të njohur Ruzhdi Bizhuta), ka marrë dhe mjaft epitete. Epiteti më i spikatur është nga gazeta “Sport Ekspres”, që e ka quajtur “Mbreti i sportit shqiptar”. Ndër epitetet e tjera janë “I pamposhturi”, “Ekzemplari”, “Kampioni unikal”, “Tajsoni shqiptar”, ndërsa në një shkrim të Gazeta Tribuna në vitin 1996 Todi Janku krahasohet me legjendën e boksit botëror, Xhorxh Foreman. Sot Todi Janku mbush 85 vjeç, duke qenë një legjendë e gjallë e sportit shqiptar.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.